Ballina Kulturë Shqiptarët duhet ta braktisin letërsinë ruse dhe ta zëvendësojnë me letërsinë evropiane

Shqiptarët duhet ta braktisin letërsinë ruse dhe ta zëvendësojnë me letërsinë evropiane

29
0

Nga Nexhmije Mehmetaj

Është e papranueshme që shqiptarët, në shekullin XXI, të vazhdojnë të ushqehen shpirtërisht me letërsinë ruse, një letërsi që jo vetëm i përket një bote të largët, por edhe mbart ide të errëta, të huaja për qytetërimin që duam të ndërtojmë. Për shumë kohë, përmes imponimit ideologjik të komunizmit, u kultivua te ne një adhurim i tepruar ndaj autorëve rusë. Ky adhurim, në fakt, ishte një formë varësie kulturore që duhej të kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Letërsia ruse, pavarësisht disa emrave të mëdhenj, mbetet e mbyllur në fatalizëm, në glorifikimin e vuajtjes dhe në një botëkuptim të prapambetur. Ajo nuk na ndihmon të ngrihemi, por na mëson të pranojmë mjerimin si fat. Kjo frymë është e dëmshme për një popull që ka kaluar trauma historike dhe që sot ka nevojë për emancipim, optimizëm dhe horizont të hapur.

Në vend të saj, shqiptarët duhet t’i kthehen letërsisë evropiane – letërsisë së mendimit të lirë, të vlerave demokratike, të shpirtit kritik dhe të krijimtarisë që frymëzon progres. Nga Shakespeare-i te Goethe-ja, nga Hugo te Kafka, nga Camus te Mann, Europa ofron një univers shumëfish më të pasur, më të gjallë dhe më emancipues. Këta janë autorët që duhet të mbushin bibliotekat tona, që duhet të formojnë mendjet e brezave të rinj.

Vazhdimi i kultit ndaj letërsisë ruse është një mbetje e së kaluarës, një pengesë për t’u shkëputur nga hijet e Lindjes. Shqiptarët nuk mund të ecin drejt Evropës duke mbajtur shpinës së tyre barrën e trashëgimisë kulturore ruse. Është koha për një shkëputje të qartë dhe të vetëdijshme: le të braktisim librat rusë dhe le të përqafojmë letërsinë evropiane, që është pasaporta e vërtetë për një të ardhme të lirë e dinjitoze.

Thirrje: Institucionet arsimore, bibliotekat publike dhe programet shkollore në gjithë hapësirën shqiptare duhet të ndërmarrin me urgjencë një reformim të orientimit letrar: të kufizojnë hapësirën e letërsisë ruse dhe të vendosin në qendër autorët evropianë, të cilët na afron më shumë me kulturën, vlerat dhe idealet që synojmë si komb. Vetëm kështu do të arrijmë një emancipim kulturor të plotë dhe do ta bëjmë letërsinë shoqëruesen e natyrshme të integrimit tonë evropian.