Nga Ferdinand Xhaferraj
Në një demokraci, populli merr qeverinë që meriton”, – ka thënë mendimtari politik francez, Alexis de Tocqueville. Por për ta kuptuar realisht gjendjen e një vendi, duhet parë jo vetëm pushteti, por edhe ata që pretendojnë ta zëvendësojnë atë. Pra, ndërsa në këtë analizë përqendrohemi mbi problemet e brendshme dhe krizën shumëdimensionale që po përjeton Partia Demokratike, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që kritika ndaj opozitës është amnisti ndaj qeverisjes, e cila në zgjedhje vuri në dispozicion burimet e shtetit për të mbajtur pushtetin. Përkundrazi, një pushtet që keqpërdor shtetin për interesa elektorale meriton të zëvendësohet nga një pushtet legjitim. Por fakti që kjo nuk ndodh është tregues i një boshllëku edhe më të madh: mungesës së një opozite funksionale. Është pikërisht dobësia e opozitës që ka përkeqësuar balancat demokratike në vend. Në këtë kuptim, analiza e gjendjes së Partisë Demokratike nuk është një çështje e brendshme partie, por një problem madhor për shoqërinë shqiptare, e cila mbetet e zhveshur nga mjetet reale të kontrollit dhe alternimit të pushtetit.
Nëse kërkojmë të kuptojmë si arritëm deri këtu, duhet të shohim nga afër rrugëtimin e Partisë Demokratike – dikur simbol i energjisë qytetare të viteve ’90 – e cila sot ndodhet në një krizë të thellë identiteti. Deri në zgjedhjet e 2021, PD mbante gjallë shpresën për fitore duke qenë një alternativë e mirëfilltë. Slogane dhe fushata si “Koha për Ndryshim” (2005) apo “Shqipëria Fiton” (2021) dëshmonin se partia ruante ende një shpirt konkurrues dhe ambicie për fitore në çdo nivel të saj. Por, zgjedhjet e fundit vulosën fundin e atij shpirti, duke zbuluar një parti që ekziston më shumë për inerci sesa për mision. Lidershipi aktual i Partisë Demokratike, i kapur peng nga hipoteka problematike e të shkuarës, nuk ka arritur – dhe nuk arrin – ta shndërrojë partinë në një burim të shprese për një të ardhme më të mirë. Siç thoshte shkrimtari dhe disidenti politik Václav Havel, “një organizatë që nuk përjeton ringjallje shpirtërore, shndërrohet në një karikaturë të vetvetes”.
Dobësia e sotme elektorale e PD-së është simptoma, jo diagnoza. Kriza e vërtetë është strukturore dhe shfaqet në tri linja themelore:
1. HUMBJA E IDENTITETIT POLITIK
Kur themi se Partisë Demokratike i mungon identiteti, nënkuptojmë se ajo nuk ofron më një narrativë kombëtare që frymëzon shqiptarët për një vizion afatgjatë. Më problematik akoma është fakti se sot ajo nuk di as kë përfaqëson. Dikur ishte zëri i studentëve, i të përndjekurve politikë, i shtresës së mesme. Sot, PD luhatet mes qasjeve pragmatiste dhe populiste, ku retorikat konservatore ndërthuren me propozime që mbartin elemente social-populiste. Themi kështu, sepse PD nga njëra anë promovon politika me taksa të ulëta dhe kërkon reduktim të barrës fiskale ndaj biznesit dhe qytetarëve — një qasje që lidhet me idenë e “më pak shtet” dhe më shumë treg të lirë. Nga ana tjetër, ajo propozon subvencione dhe ndihma sociale në sektorë të ndryshëm si bujqësia, arsimi dhe për grupe specifike si minatorët — politika që nënkuptojnë “më shumë shtet” në logjikën e ndërhyrjes dhe mbështetjes financiare nga buxheti shtetit. Kjo paqartësi ideologjike ka zbehur besueshmërinë programore të partisë, duke e shndërruar identitetin politik në një përzierje retorikash pa një bosht të qartë parimor.
2. MUNGESA E INTEGRITETIT ETIK
Problematika e dytë qëndron te mungesa e një formatimi etik. Në një kontekst shoqëror ku shqiptarët janë të lodhur, të zhgënjyer dhe gjithnjë e më mosbesues ndaj politikës, vetëm një qasje e bazuar në etikë mund të krijojë besim dhe shpresë reale. Qasja etike do të thotë që të shpallësh primaret, si proces i përzgjedhjes së kandidatëve brenda partisë, për të dhënë mesazhin që pushteti i vendimmarrjes buron nga baza. Por, të mos degradosh produktin e primareve në një farsë etike, ku legjitimiteti që vjen nga baza zëvendësohet nga besnikëria ndaj liderit. Qasja etike kërkon edhe respektimin e normës statutore që parashikon dorëheqjen e kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve. Refuzimi për ta zbatuar këtë normë minon besimin në rregullat dhe drejtësinë brenda partisë. Ai dëshmon se përgjegjësia personale për humbjen i lë vendin një logjike mbijetese, ku ruajtja e pushtetit individual prevalon mbi nevojën kolektive për reflektim dhe rinovim.
Për më tepër, dështimi i partive të reja për të ndërtuar një kulturë politike ndryshe e bën edhe më të domosdoshme ringjalljen e Partisë Demokratike. Ndonëse fillimisht u panë si alternativa frymëzuese dhe të çliruara nga makthet e së kaluarës, shumë prej këtyre lëvizjeve dëshmuan shpejt përplasje të brendshme, mungesë koherence dhe prani të të njëjtit mentalitet të vjetër që pretendonin të sfidonin. Ky dështim nuk është thjesht individual, është simptomë e thellë e një kulture politike të paformuar, ku mungon etika institucionale dhe përkushtimi ndaj një vizioni më të lartë shoqëror. Prandaj, nevoja për transformimin e PD-së nuk buron vetëm nga historia e saj, por edhe nga boshllëku që la pas paaftësia e alternativave të reja për të strukturuar besim dhe përfaqësim afatgjatë. Siç shprehej Antonio Gramsci: “Kriza konsiston pikërisht në faktin se e vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lindë”. Në këtë hapësirë të zbrazët, përgjegjësia për një rilindje të vërtetë politike është më e madhe se kurrë.
3. MUNGESA E NJË VIZIONI FRYMËZUES PËR TË ARDHMEN
Në këtë kontekst të rrënimit të ideve dhe strukturave, ndërtimi i një oferte të re politike nuk është luks, është domosdoshmëri. Pa një horizont të ri vizionar, Partia Demokratike rrezikon të mbetet një kornizë formale, pa elektorat, pa program dhe pa të ardhme. Historia e afërt ofron shembuj paralajmërues: Në Francë, socialistët ranë nga presidenca në margjinalitet për shkak të mungesës së një vizioni të ri. Në Itali, Forza Italia u tkurr bashkë me figurën e liderit të saj, duke u zhvendosur nga qendër e gravitetit politik në periferi. Ky është fati i partive që nuk guxojnë të ndryshojnë: ato nuk humbasin thjesht zgjedhje, por rrezikojnë të humbasin vetë ekzistencën. Por ka edhe shembuj që dëshmojnë se ringritja është e mundur. Në Spanjë, socialistët e rrënuar arritën të rikthehen në pushtet pasi Pedro Sánchez i dha partisë një identitet të ri dhe sfidoi elitën e vjetër përmes një procesi të brendshëm pastrimi dhe rinovimi. Në Bullgari, lëvizja “Ne vazhdojmë ndryshimin”, e udhëhequr nga një brez i ri, theu status quonë e korruptuar dhe fitoi mbështetje masive duke ofruar një alternativë të besueshme, jo vetëm slogane. Shqipëria nuk është përjashtim.
Zgjedhjet e fundit treguan se PD po humb terren jo vetëm përballë kundërshtarit politik, por edhe përballë mosbesimit të qytetarëve karshi alternatives që ajo ofron. Rinia është larguar, profesionistët janë pasivizuar dhe rezultati i fundit elektoral ishte dukshëm më i dobët se ai pararendës. Përfundim: Zgjedhja është e qartë: ose Partia Demokratike i nënshtrohet një procesi të thellë vetërishikimi dhe rinovimi, ose rrezikon të bëhet një kapitull i mbyllur i historisë politike shqiptare. Ndoshta me naivitetin e dikujt që ka investuar për dekada në këtë parti, unë vijoj të shpresoj.