Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në një deklaratë publike, ka përgënjeshtruar disa lajme që kanë qarkulluar sot, në lidhje me një deklaratë të bërë në OKB nga ministrja e Jashtme e Ekuadorit. Sipas ministrisë sonë, është keqinformuar në disa media në lidhje me fjalën e Gabriela Sommerfeld, ku është pretenduar se ajo ka përmendur si problem mafien shqiptare. “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndjekur keqinformimin e disa mediave online gjatë ditës së sotme, mbi faktin plotësisht të pavërtetë të përmendjes së Shqipërisë apo shqiptarëve, në fjalën kombëtare të Ekuadorit, nga Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky është një fakt tërësisht i sajuar, pa asnjë vërtetësi, pasi as Shqipëria dhe as shqiptarët nuk përmenden në këtë fjalim, i cili është publik, i aksesueshëm në faqen zyrtare të OKB-së. Fjala e ministres mund të lexohet nga çdokush që nuk përpiqet të keqpërdorë këto forume të larta ndërkombëtare duke sajuar fakte të paqëna, për të ulur dinjitetin, reputacionin dhe imazhin që Shqipëria ka ndërtuar me sukses në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Por e vërtete është krejt ndryshe. Në fjalën e plotë të ministres së Jashtme të Ekuadorit, Gabriela Sommerfeld, ka vënë Shqipërinë në fokusin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke alarmuar opinionin publik shqiptar dhe duke ngritur pikëpyetje serioze mbi përmasat e krimit të organizuar me lidhje shqiptare jashtë vendit. Sommerfeld përmendi “mafian shqiptare” si pjesë të rrjeteve kriminale transnacionale që sipas saj, kanë kapur ekonomi, politika dhe institucione në Amerikën Latine, krahas karteleve të njohura si Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación. “Qeveria e Ekuadorit ka shpallur ekzistencën e një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar dhe ka kategorizuar grupet kriminale si terroriste. Këto struktura kanë lidhje me kartelet ndërkombëtare si ai i Sinaloas, ai i Jalisco Nueva Generación dhe mafia shqiptare në Europë…”, thotë ajo ndër të tjera.