Nga Klevis Bakillari
Znj. Spiropali u bë zyrtarja e parë shqiptare që takoi Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke sjellë në qendër të diplomacisë ndërkombëtare emrin e vendit tonë.
Ky takim është një faqe e re ne diplomacinë shqiptare por dhe një kapitull i ri në marrëdhëniet shqiptaro–amerikane, marrëdhënie të rrënjosura që nga koha e Presidentit Wilson, të përforcuara nga Presidenti Bush, e që sot marrin një tjetër frymë të përditësuar në realitetin e shekullit XXI.
Do të thotë se Shqipëria nuk është më vetëm një zë periferik në Ballkan, por një partnere që dëgjohet, një aktore që ftohet në tryezë, një vend që luan kartën e tij strategjike mes Evropës dhe SHBA-ve. Mesazhi që Spiropali përcolli nuk ishte i zakonshëm: forcim i aleancës në çdo dimension – politik, ekonomik, energjetik, teknologjik, e sidomos në siguri, aty ku sfidat globale janë më të mëdha se kurrë.
Në një kohë kur bota ende përballet me paragjykime gjinore, fakti që një grua shqiptare shfaqet në krah të Sekretarit Amerikan të Shtetit, është një fitore më vete. Spiropali nuk përfaqësoi vetëm qeverinë shqiptare, por edhe një brez të ri politikanësh që synojnë të shohin Shqipërinë në një nivel të barabartë dialogu me fuqitë botërore.
Edi Rama, me lëvizjet e tij prej “levizësi të palëvizshëm”, ka ditur ta transformojë diplomacinë shqiptare në një kartë të fuqishme politike. Spiropali, duke shfaqur qartësisht se nuk është thjesht një ministre ceremoniale, i dha kësaj karte zjarrin e duhur. Në këtë lojë globale, Shqipëria nuk kërkon më të pranohet si “vend i vogël ballkanik”, por partner strategjik i SHBA-ve dhe Evropës.
Takimi në New York është një mesazh i koduar: Shqipëria ka zgjedhur anën e saj në historinë e re – dhe kjo anë është krah për krah me Amerikën. Ky është mesazh për aleatët, por edhe për ata që ende e shohin Ballkanin si terren ndikimesh të dyshimta.
Në fund, Spiropali në New York nuk është thjesht një foto e shpërndarë në rrjete sociale. Është një moment zjarri në diplomacinë shqiptare, një dëshmi se kur vizioni politik përkthehet në aksion, edhe një vend i vogël mund të lërë gjurmë të mëdha në arenën botërore.