Në deklaratën për media, Blushi theksoi se është tashmë i dokumentuar takimi i Ramës me kartelet në Aruba, për të cilën tha se është një tjetër provë e shkrirjes së mafias me shtetin.
‘Kjo shpjegon para të gjithë shqiptarëve pse sot më shumë se 250 drejtues bandash janë në arrati, pse Edi Rama legalizoi kanabisin, emëroi ministra të brendshëm të dënuar ose me lidhje të afërta familjare me trafikun ndërkombëtar të drogës, dhe ku e gjithë kupola e policisë rezulton e përfshirë në kultivimin e kanabisit’, u shpreh Blushi.
Në emër të PL, Blushi kërkon hetim të plotë ndërkombëtar për lidhjet e qeverisë Rama me mafian, dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit e bashkëpunëtorëve të tij, si dhe aktivizimin e partnerëve ndërkombëtarë për të hetuar më thellë pastrimin e parave në Shqipëri dhe të gjitha lidhjet me rrjetet kriminale ndërkontinentale.
Deklarate per mediat e Sekretarit te Pergjithshem, Z. Tedi Blushi
Shërbimet sekrete të vendeve partnere po e konturojnë zyrtarisht Edi Ramën si kreun e parë dhe të vetëm të një narkoregjimi në Europë.
Takimi i dokumentuar në Aruba, midis bosëve të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe përfaqësuesve të qeverisë së tij, është një tjetër provë e shkrirjes së mafias me shtetin.
Edi Rama tanimë nuk është thjesht një kryeministër autoritar dhe i korruptuar, që përdor bandat për të penguar rotacionin politik siç u denoncua në Parlamentin Europian, por po faktohet si drejtuesi real i një narkoshteti funksional, ku krimi i organizuar është bërë njësh me shtetin.
Partia e Lirisë falenderon më mirënjohje Antimafian italiane, shërbimet amerikane, gjermane dhe vendeve të tjera partnere që po publikojnë fakte tronditëse dhe shumë të qarta për narkoregjimin e Edi Ramës, të lidhur drejtpërdrejt me rrjetet më të rrezikshme të mafies globale: Ndrangheta-n italiane, kartelin Sinaloa në Amerikën Latine dhe lidhjet e errëta me shërbime të korruptuara si në skandalin Coldea, ku gjenerali rumun i mafias ishte këshilltari personal i Edi Ramës.
Kjo shpjegon para të gjithë shqiptarëve pse sot më shumë se 250 drejtues bandash janë në arrati, pse Edi Rama legalizoi kanabisin, emëroi ministra të brendshëm të dënuar ose me lidhje të afërta familjare me trafikun ndërkombëtar të drogës, dhe ku e gjithë kupola e policisë rezulton e përfshirë në kultivimin e kanabisit.
Pa harruar kulmin e arritur ku dhe ushtria shqiptare, pjesë e NATO-s, fikte radarët për avionët e drogës dhe angazhohej vet në kultivimin e kanabisit.
Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në një lavatriçe gjigande të pastrimit të parave, ku paratë e drogës ndërtojnë kulla, financojnë hotele dhe blejnë gjoja opozitarë, me mbështetjen, urdhrin ose miratimin e heshtur të Kreut të Organiztës.
Një shtet i korruptuar në çdo qelizë, ku mafia kontrollon gjithçka, ku tenderat jepen për klanet e lidhura me trafikantët, ligjet kalojnë për të mbrojtur interesat e karteleve.
Ndërsa prokurorët dhe gjykatësit e “Ramaformës” afërmendsh heshtin sepse siç provoi edhe dosja McGonigal “reforma u shndërrua në një mundësi shumë të madhe” për pasurim të paligjshëm për të gjithë banditët dhe hajdutët vendas dhe ndërkombëtarë.
Shqipëria tanimë nuk më thjesht vendi i parë ne Europë për korrupsion dhe i dyti në botë për rryfshet, por i çertifikuar nga partnerët ndërkombëtarë si narkoshteti i vetëm funksional në kontinentin europian — dhe përgjegjësi kryesor është Edi Rama.
Në dritën e fakteve të reja të publikuara nga antimafia italiane lidhur me skandalin “Aruba”, Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri nxjerrjen para drejtësisë dhe hetimin pa imunitet, si çdo kriminel tjetër, të Edi Ramës.
Çdo ditë që ai qëndron në krye është një ditë më shumë në të cilën krimi forcohet dhe drejtësia vetshkatërrohet duke u identifikuar qartë si patericë e Narkoregjimit.
Sot Shqipëria drejtohet nga një qeveri që:
Ka bashkëpunuar me strukturat më të rrezikshme të krimit europian dhe ndërkombëtar;
Ka lejuar pastrimin e miliarda eurove nëpërmjet ndërtimit, turizmit dhe projekteve të koncesioneve;
Ka shndërruar shtetin në një instrument të mafies – me polici, drejtësi dhe media të kontrolluara.
Ndaj në dritën e fakteve të reja lidhur me skandalin “Aruba”, ku Edi Rama qartësisht është konturuar si administrator i interesave të mafies shqiptare dhe ndërkombëtare, kërkojmë me vendosmëri
Hetim të plotë ndërkombëtar për të gjitha lidhjet e qeverisë Rama me mafian dhe strukturat e krimit ndërkombëtar;
Dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij të përfshirë në këto skandale, nisjen e menjëhershme të hetimeve zyrtare dhe dorëzimin e tyre pa vonesë para drejtësisë;
Aktivizimin e partnerëve ndërkombëtarë për të hetuar më thellë pastrimin e parave në Shqipëri dhe të gjitha lidhjet me rrjetet kriminale ndërkontinentale.
Shqipëria do të çlirohet nga narkoregjimi Rama, me çdo kusht, me çdo mjet ligjor dhe demokratik, sepse nuk është kartel, as kazino dhe parcelë droge e Sinaloas dhe as lavatriçe e ‘Ndranghetës’.