Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako lë sot qelinë e burgut. Dako u rikthye në qeli me vendim të Apelit të GJKKO-së më 16 shtator, ku u dënua me 2 vite e 8 muaj burg për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Në bazë të përllogaritjes së kohës së paraburgimit së bashku me atë të ‘arrestit shtëpiak’ që Dako ka kryer përgjatë gjithë procesit hetimor në ngarkim të tij, ai duhet të kryente dhe 10 ditë burg, por 4 nga të cilat i kaloi në spital.
Në momentin që në shtëpinë e tij mbërritën agjentët për të ekzekutuar masën e sigurisë, ish-kryebashkiaku pati përkeqësim të gjendjes shëndetësore me simptoma aritmie, gjendje ankthi dhe probleme me hernien diskale. Për këtë arsye ai u shtrua për 4 ditë në repartin e infektivit në QSUT. Referuar Kodit Penal, çdo ditë në spital është e barabartë me 1 ditë burg. Vangjush Dako la ambientet e spitalit më 21 shtator dhe shkoi në qeli ku ishte për të shlyer dhe 6 ditë burg nga dënimi i gjykatës.