Më 16 janar 2025 dhjetëra familje dhe biznese në fshatin Bunec të Lukovës u përmbytën si pasojë e çarjes së digës të hidrocentralit të Bunecit.
Uji mori para çdo gjë, por u desh ndërhyrja e policisë për largimin e banorëve që të mos regjistroheshin viktima.
Kjo ngjarje ka autorë dhe përgjegjësia bie mbi shoqërinë koncensionare.
Ka qenë raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka evidentuar shkelje të rënda në respektimin e kontratës dhe cilësinë e punimeve.
Koncensionari është shoqëria “ENERGO-SAS” themeluar në vitin 2001.
Në vitin 2008 shoqëria “AGNA” e përfaqësuar nga Administratori i saj z. Vasil Naçi ka blerë 30% të kuotave të shoqërisë “ENERGO-SAS”.
Më pas, në vitin 2014, “AGNA” kishte më shumë se gjysmën e kapitalit praktikisht 56% te kuotave ndërsa pjesën tjetër e kishte ish-deputeti Vasil Gjika.
Auditimi i KLSH-së ka zbuluar një skandal që ka qenë i fshehur për më shume se 15 vite.
Nga verifikimi i dokumentacionit si dhe verifikimi në objekt rezulton se fuqia e instaluar për HEC “Sasaj” është 8600 kW.
Referuar përcaktimeve të kontratës koncesionare, fuqia e projektuar dhe e miratuar për këtë vepër është 5,500 kW.
Ky devijim nga përcaktimet e kontratës përbën shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes koncesionare dhe shoqërohet me problematika të natyrës teknike.
E thënë me thjeshtë, HEC “Sasaj” ka instaluar më shumë fuqi se sa ishte lejuar në kontratë,duke krijuar probleme që kanë dëmtuar sistemin.
Fuqia e instaluar është tejkaluar 56% nga ajo e miratuar në kontratë çka do të thotë më shumë fitim për koncensionarin, ndërkohë që fshatarët e zonës nuk kishin as ujë për vaditje.
Sipas KLSH-së, “në vazhdimësi, por në mënyrë më të theksuar gjatë vitit 2022, nga ana e koncesionarit nuk është lëshuar sasia e ujit ekologjik në rrjedhën e lumit ekzistues, duke krijuar pasoja për mjedisin, por edhe për banorët e zonës, nga mungesa e ujit për ujitje”.
Ne konkluzionet e saj KLSH thekson se “baseni i presionit të HEC “Sasaj” Sarandë, është dëmtuar si pasojë e mos respektimit të dispozitave ligjore për realizimin e investimeve dhe mirëmbajtjen e tij.
Në mënyrë të përsëritur, koncesionari nuk ka respektuar kushtet teknike të kontratës.
Të gjitha shkeljet ndër vite të koncensionarit iu faturuan banorëve të zonës, të cilëve iu përmbytën toka dhe banesat.