“Vitin që lamë pas në Shqipëri janë raportuar afro 1500 raste dhune. Ajo që bie në sy nga të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave është fakti se qarku i Tiranës zë peshën më të madhe të grave të dëmtuara nga dhuna brenda familjes me 40% të rasteve, e ndjekur nga qarku i Durrësit dhe i Fierit”, thotë gazetarja e Tv Klan Erikleda Dorezi.
“Të dhënat tregojnë se janë qarqe që nga struktura demografike përfaqësojnë numrin më të lartë të popullsisë në vend. Kemi të bëjmë me familje të cilat kanë ardhur në këto qarqe, që do të thotë janë në një mjedis disi të pasigurt dhe situata social-ekonomike nuk është mëse e favorshme. Një individ që jeton në një mjedis të favorshëm, këtë agresion që ka në vetvete, tipologji të ushtrimit të dhunës, nuk do ta shfaqë ose do ta shfaqë më së shumti ose më pak në varësi”, tha sociologia Eris Dhamo.
“Aksesi në institucione është i menjëhershëm dhe po ashtu edhe pavarësia ekonomike është më e lartë. Jashtë qyteteve ka më shumë viktima, në zonat urbane ka më shumë të dëmtuara”, tha avokati Ylli Kameri.
“Më së shumti po dhunohen gratë dhe femrat të cilat nuk kanë një status të caktuar shoqëror, nuk kanë të ardhura dhe nuk kanë një mbrojtje”.
“Të dyja palët vijnë nga familje ku është toleruar dhuna. Janë të pasigurta ekonomikisht dhe nuk posedojnë rrjete mbështetëse, familjare dhe institucionale. Frika dhe stigmatizimi i shoqërisë në zonat rurale është më i dukshëm”, tha Dhamo.
“Në zonat rurale mund të durojë gjithë jetën dhe mund të mos e kallëzojë kurrë dhunën në familje. Në varësi të shkallës së emancipimit ka gra që nuk durojnë fare”, tha Kameri.
Për ekspertët, edukimi shihet si një ndër mekanizmat më të rëndësishëm për parandalimin e dhunës në familje, dhe kryesisht atë ndaj grave.