Në Shqipërinë e viteve ’70, jo vetëm udhëheqja duhej të ishte e “veçuar” nga populli, por edhe lopët që e furnizonin me qumësht kishin stallën e tyre speciale, të rrethuar, të kontrolluar politikisht dhe “të sigurta nga ndotja klasore”. Edhe lopët i kishin me biografi të mirë udhëheqja.
Një dokument “tepër sekret” i vitit 1975, i nënshkruar nga zëvendëskryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, Enrik Enonomi, drejtuar ministrit të Bujqësisë Piro Dodbiba, ministrit të Shëndetësisë Llambi Ziçishti dhe zëvendësministrit të Brendshëm Xhule Çiraku, parashtron masa të posaçme për t’u siguruar që tufat e lopëve që prodhonin qumësht për “drejtorinë speciale” të udhëheqjes, të ushqeheshin, ruheshin dhe të ishin të paprekura nga “rreziqe të jashtme”.
Në raport theksohet se 100 krerë lopë të vendosura në Kamëz ishin në stalla të veçanta dhe nën kujdesin e punonjësve “me garanci politike”. Ushqimi i tyre duhej të prodhohej dhe të transportohej nga fusha të veçuara, të kontrolluara dhe larg çdo kontakti me elementë të paqëndrueshëm. Madje propozohej edhe zhvendosja e tufës në Rinas apo në radiostacionin e Kamzës, ku ushqimi dhe strehimi mund të garantoheshin më mirë.
Por ndërsa për lopët e udhëheqjes hartoheshin plane sekrete me masa sigurie, realiteti për shqiptarët e thjeshtë ishte krejt tjetër: radhë të pafundme për një litër qumësht, mungesa kronike e ushqimeve bazë dhe varfëri e skajshme. Në një vend ku fëmijët rriteshin me bukë misri e supë të hollë, pushteti mendonte se edhe kafshët që furnizonin “drejtorinë speciale” duhej të ishin të privilegjuara dhe të mbrojtura si pjesë e kastës. Ky kontrast i dhimbshëm tregon më qartë se kurrë absurditetin e një regjimi që ushqente lopët e udhëheqjes me kujdes të posaçëm, ndërsa popullin e vet e linte të vuante urinë./vna