Ballina Ekonomia Kompania që lëvdoi Rama se solli “Forbes Global” në Shqipëri është borxhlie...

Kompania që lëvdoi Rama se solli “Forbes Global” në Shqipëri është borxhlie në Tatime

40
0

Capital Point, kompania e cila u bë pjesë e rrjetit Forbes Global Properties rezulton të jetë nën masën e sigurimit tatimor për shkak të borxheve të papaguar në Tatime. Kompania, e cila u lëvdua publikisht nga kryeministri Edi Rama, është vënë nën masë që në tetor të vitit të kaluar për shkak se nuk ka paguar 18 mijë euro detyrime të prapambetura.

“Tatimpaguesit i është dërguar dokumenti “Njoftim dhe kërkesë për të paguar”, por ai nuk ka paguar ende. Këto detyrime janë subjekt i masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin përkatës tatimor,” thuhet në shkresën e Tatimeve.

Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara Rajoni Qendror thekson se nëpërmjet kësaj mase synon që në Qendrën Kombëtare te Biznesit të mos lejohet tjetërsimi mbi pasurinë dhe të drejtat e tjera pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore.

Kompania që lëvdoi Rama se solli "Forbes Global" në

Capital Point nen sekuestro tatimore

Capital Point është një agjenci pasurish të paluajtshme, që zotërohet nga Ilda Zaloshnja dhe një shtetas amerikan nga Massachusetts i quajtur Brandan Arthur Mativi. Një ditë më parë kompania mbajti një event publik ku njoftoi bashkimin me rrjetin Forbes Global Properties.

Në ceremoninë, ku ishte i ftuar drejtori ekzekutiv i Forbes Global Properties, ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, i cili i përgëzoi publikisht të dy pronarët e Capital Point për sjelljen e Forbes Global Properties në Shqipëri.

“Do të flas dy fjalë në anglisht, së pari duke shprehur falënderime shumë të sinqerta për një çift që e bëri të mundur një gjë të tillë dhe është diçka që t’ju them të vërtetën ishte diçka për të cilën isha skeptik, sepse ne e dimë shumë mirë që Forbes Property nuk është degë po themi këtu, është ajo e mirëfillta, e vërteta, dhe të shohësh drejtuesin ekzekutiv që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një grup jo të vogël, për të kremtuar këtë mbrëmje është vërtetë një arritje mjaft e madhe, kështu që përgëzime,” tha Rama./kapital