Ballina Dossier “Lufta për çlirimin e Tiranës ishte e panevojshme, pasi i kushtoi ushtrisë...

“Lufta për çlirimin e Tiranës ishte e panevojshme, pasi i kushtoi ushtrisë partizane 127 të vrarë, 290 të plagosur e, dëme materiale, vonoi kryeqytetin 10 ditë…”/ Refleksionet e publicistit të njohur

32
0

Nga Ali Buzra

Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizoni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.

Vijon nga numri kaluar

Në historiografinë e kaluar, me të drejtë janë përmendur Masakra e Borovës dhe ajo e 4 Shkurtit në Tiranë, por asnjëherë nuk janë përmendur masakrat e kryera pa gjyq nga shtabet partizane gjatë luftës dhe në vitet e para pas lufte. Sot janë të shumtë studiuesit e historisë të cilët duke shfrytëzuar arkivat sekrete të luftës e të pasçlirimit, kanë hedhur dritë mbi vrasjet e terrorin komunist. Ato janë të shumta, por vlen të përmendim masakrën e kryer ndaj 180 personave të pafajshëm, vetëm si të dyshuar, nga rajonet e Vlorës, Korçës dhe Elbasanit, në shkurtin e vitit 1944.

Po kështu në Golem të Lushjës u vranë 67 ballistë me urdhër të Dushan Mugoshës e të Mehmet Shehut nga Brigada I-rë. Dëshmohet se njëri prej tyre, kur e ftuan të bashkohej me partizanët tha: “Unë derr bëhem, por me komunistët jo”. Në Klos të Matit, u vranë në pabesi 20 burra, pasi qenë ftuar për të biseduar nga një zëvëndëskomisar brigade. Gjatë “Operacionit të Dimrit”, u pushkatuan 24 martaneshas, mes të cilëve dhe një fëmijë adoleshent. Më 14 shtator 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste, forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare kryen një masakër në fshatin Gërhot të Gjirokastrës, ku vranë 36 nacionalistë, me në krye Hysni Lepenicën, që ishte komandant i Përgjithshëm i forcave nacionaliste për Jugun e Shqipërisë.

Pas tij komandën e merr Kadri Cakrani, djali i Hajredin Bej Cakranit, firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë më 1912. Terrori komunist gjatë luftës arriti kulmin me masakrën masive në Tiranë, nga 25 tetori, deri në 17 nëntor 1944. Në këto ditë u vranë mbi 100 intelektualë me formim e bindje pro-perëndimore, ish-ushtarakë e nacionalistë, patriotë që nuk ishin bashkuar me Frontin Nacional-Çlirimtar. Shumica u vranë pranë shtëpive të tyre, në pabesi e pa gjyq. Këto e të tjera masakra nuk janë përmendur nga historiografia e kaluar, por ata janë një realitet i përjetuar nga vetë personat e familjet e tyre.

Dhe ja si dëshmojnë vetë drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare e të Frontit Nacional-Çlirimtar, për vijën e ndjekur nga partia e tyre: Sejfulla Malëshova, një nga mendjet më të iluminuara të kohës, mbaron shkollën e mesme dhe studimet e larta për Mjekësi, në Romë. Më pas, në vitet 1926-1930, vazhdon studimet në Moskë. Emërohet pedagog në Universitetin “Lomonosov” dhe fiton konkursin për vendin e Dekanit, nga 100 konkurrues. Person me bindje komuniste, njohës i mbi 10 gjuhëve të huaja, në Shqipëri zgjidhet anëtar i PKSH-së dhe i Byrosë Politike. Pas çlirimit zgjidhet Anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe emërohet Ministër i Arsimit. Në vitin 1947, i hiqen të gjitha funksionet në parti dhe qeveri, duke e cilësuar si liberal.

E internojnë në Fier, ku punon si shitës samarësh. Ndërroi jetë në vitin 1971. “Terrorizmi në parti, në popull, në ushtri, – dëshmon ai – tregon dobësinë e vijës sonë politike; e dyta mosbesimin që kemi në popull; e treta që nuk kemi lidhje me masat. Me terror i zgjidhnim të gjitha. Nuk u çudita kur më thanë se sa më terrorist të ishte njeriu, aq më komunist ishte. Kështu duken simtomat e degjenerimit nga një parti politike në një bandë kriminelësh”.

Tuk Jakova, ishte një ndër anëtarët e Grupit Komunist të Shkodrës e, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të PKSH-së, komisar politik në Brigadën I-rë. Pas çlirimit të vendit, emërohet ministër i Industrisë në Qeverinë shqiptare. Në vitin 1951, shkarkohet nga anëtar i Byrosë Politike, ndërsa në vitin 1955 edhe nga anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitin 1957 izolohet në kalanë e Janinës. Në vitin 1958, arrestohet e dënohet me 20 vjet burg, me motivacion “për zbutje të luftës së klasave”. Vdiq në vitin 1959, në rrethana të mistershme. Ja si shprehet ai: “Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj…! Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Partizanët vrasin vetë, pa i vënë njerëzit para gjyqit”.

Duke i u rikthyer luftës për çlirimin e Tiranës, duhet përmendur edhe fakti se, më 3 tetor 1944, ishte dhënë urdhri nga Vermahti gjerman, për t’u tërhequr trupat nga Greqia, Shqipëria e Maqedonia. Më 2 nëntor ato u larguan nga Greqia. Nga dokumentet e gjetura rezulton se evakuimi nga Tirana, u bë 10 ditë më vonë nga ç’qe parashikuar, për shkak të bllokimit nga forcat partizane të Ushtrisë Nacional- Çlirimtare. Vallë, nuk dihej se forcat gjermane do të evakuoheshin? Pa tjetër që dihej. Atëherë lind pyetja; përse kjo sakrificë? Përse të shkohej drejt humbjeve të mëdha njerëzore e materiale?!

A nuk do të qe më mirë të shmangej një përplasje kaq e fortë e me pasoja në Tiranë? Natyrshëm, duhet pranuar edhe fakti se misionet britanike e mirëpritnin një përplasje të tillë, me qëllim që të dëmtoheshin sa më shumë forcat gjermane, pavarësisht se në tërheqje. Nga informacionet britanike thuhet se në Tiranë, nuk ka patur forca të mirëfillta ushtarake gjermane. Ato ishin pjesë e logjistikës, vend-komandës, spitalet, ofiçinat etj. Kolona që erdhi nga Maqedonia, i shërbente përforcimit të këtyre forcave, meqenëse partizanët kishin rrethuar e mbërritur afër Tiranës.

Nga dëshmitë e oficerëve britanikë, thuhet se trupat gjermane në tërheqje, ishin gati të dorëzoheshin pranë atyre britanike të LRDG (Grupi i shkretëtirës së distancave të largëta), por ata refuzonin të dorëzoheshin pranë partizanëve shqiptare, për arsye se, përvoja e deritanishme kishte treguar se Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare kishte thyer ligjet e luftës, duke ekzekutuar robërit.

Nga ana tjetër, ata pohojnë se udhëheqja partizane ishte përpjekur të izolojë ushtarakët britanikë gjatë lurtimeve në Tiranë e Shkodër, për të mos u njohur me terrorin, jo vetëm me robërit gjermanë, por edhe me reprezaljet ndaj popullsisë civile, veçanërisht në Shkodër, e cila kishte një opozitë të fortë antikomuniste, që ishte në plan të asgjësohej gjatë luftimeve në këtë qytet. (Në dokumentet angleze thuhet se partizanët shqiptarë, kryen ç’kishte mbetur. Në mjaft raste vëren ajo, 5 ushtarë gjermanë me mitraloza mbi kamion, arrinin të ndalnin grupe prej 100 partizanësh, të mbështetur nga 10 mitraloza.)

Lufta për çlirimin e Tiranës i kushtoi ushtrisë partizane 127 të vrarë, 290 të plagosur, dëme të konsiderueshme materiale dhe vonoi çlirimin e kryeqytetit 10 ditë. Natyrshëm, u vranë partizanë të thjeshtë, e jo nga shtabet drejtuese. Pa ndihmën e britanikëve, humbjet mund të ishin akoma më të mëdha. Kjo luftë qe e projektuar nga PKSH-ja për dy qëllime kryesore:

Së pari, marrjen e pushtetit, mbasi Enver Hoxha në këtë kohë udhëzon: “Kush merr kryeqytetin, merr pushtetin”.

Së dyti, asgjësimin e kundërshtarëve të mundshëm politikë. Me këtë praktikë, u kryen krime, vrasje e masakra sipas metodave bolshevike, të praktikuara nga PKSH-ja me nxitjen edhe të emisarëve jugosllavë, për t’i vënë shqiptarët kundër shqiptarëve. Është e provuar tashmë, se zbatuesi më i devotshëm i kësaj praktike terroriste, ishte Enver Hoxha. Kështu rruga drejt pushtetit, u la me gjakun e intelektualëve, kundërshtarëve politikë të kohës si dhe të qindra njerëzve të pafajshëm.

KAPITULLI III-të

Përfshirja dhe roli i misionit britanik gjatë luftës në Shqipëri. Veprimet luftarake të brigadave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, iniciuar nga përfaqësuesit jugosllave pranë PKSH-së, që çuan në neutralizimin e qëndresës së çetave nacionaliste antifashiste dhe anti-sllave. Fati tragjik i çetës dhe fisit të Kryezinjve, si dhe masakra e Tivarit.

Duke iu rikthyer problemit të bashkëpunimit, mund të themi se, edhe përpjekjet e misioneve britanike për të nxitur bashkëpunimin mes Frontit Nacional-Çlirimtar e nacionalistëve dështuan. Nga ana tjetër dështoi edhe synimi i tyre, për të hedhur nacionalistët në një kryengritje të organizuar e masive kundër gjermanëve. Por edhe disa elementë të majtë moderatorë, që synonin tërheqjen e nacionalistëve të bashkëpunonin me Frontin, si një mundësi pajtimi kombëtar, u eliminuan nga PKSH-ja e Enver Hoxha.

Në kujtimet e tij Reginald Hibbert, shkruan për Mustafa Gjinishin: “Në korrik e gusht të vitit 1944, ai shoqëroi Divizionin e Parë dhe pastaj Korpusin e Parë në Shqipërinë e Veriut. Ai arriti një farë suksesi duke tërhequr disa nga udhëheqësit nacionalistë më pak të kompromentuar, për shembull Dan Kaloshin e Cen Elezin dhe, siç ishin hapur fjalë edhe Muharrem Bajraktarin, në bisedime me partizanët e madje, siç duket, edhe për fillimin e bashkëpunimit…! Ai u vra nga një pritë nga fundi i gushtit, ndërsa po ecte me Viktor Smithin…!

Pas vdekjes së tij nuk u dëgjua më për këto dhe brigadat partizane nuk treguan durim me krerët veriorë dhe i shkatërruan njëri pas tjetrit. Është e vështirë të mos arrish në përfundimin se Gjinishi u likuidua nga një skuadër goditëse, që punonte për Enver Hoxhën, i cili nuk kishte ndërmend që të pranonte njërin nga krerët e tij kryesorë, që të bëhej një pikë bashkimi për një koalicion kombëtar”!

Lind pyetja; A ka patur krerë veriorë, të Shqipërisë së Mesme, apo jugorë që mbanin lidhje me gjermanët? Pa tjetër që ka patur, bile persona me influence. Arsyet e këtij bashkëpunimi në rrethanat e luftës, që nuk kanë shkuar asnjëherë kundër interesave kombëtare, i kemi trajtuar më lart, por nuk u bë asnjë përpjekje nga ana e PKSH-së për të bashkëpunuar me ta, përkundrazi, PKSH-ja e ka minuar bashkëpunimin, duke i parë ata si pengesë serioze më pas në vendosjen e rendit të ri shoqëror, atij socialist.

Natyrisht, edhe vetë krerët mundet të kishin disekuilibra mes tyre, ata nuk qenë të bashkuar në krijimin e një koalicioni të përbashkët, ndoshta edhe për faktin se kush do të ishte në rolin drejtues, një pragmatizëm ky i njohur i shqiptarëve. Në dokumentet e misioneve britanike të cilat mund t’i marrim disi të paanshme, thuhet që pati përpjekje për t’u formuar një koalicion i udhëheqësve nacionalistë, duke patur si drejtues Mehdi Frashërin, që ishte kryetar i Këshillit të Regjencës, Abaz Kupin si udhëheqës i zogistëve, Fiqiri Dinen që përfaqësonte zonën e Dibrës dhe Gjon Marka Gjonin, që influenconte në fiset e Mirditës, por që për shumë arsye nuk arriti të bëhej realitet.

Aty nga shtatori i vitit 1944, në Shqipëri, pranë PKSH-së, kishin ardhur të tjerë oficerë të misionit jugosllav, të cilët qenë Velimir Stoiniçi e Nijaz Dizdareviçi. Ky rifreskim i përfaqësuesve jugosllavë në përfundim të luftës, kishte pikësynime të caktuara; Së pari, qëndronte problemi i të ardhmes së Kosovës, dhe së dyti, përgatitja e kushteve për përfshirjen e Shqipërisë në të ashtuquajturën Konfederatë Ballkanike, me në krye Serbinë. Partia Komuniste Jugosllave, ia kish hedhur mirë kthetrat Partisë Komuniste Shqiptare. Në mesin e vitit 1944, Lufta civile në Shqipëri, e filluar kryesisht mbas Marrëveshjes së Mukjes, u intensifikua ndjeshëm.

Për faktin se ishte apo jo “luftë civile” edhe sot ka mjaft polemika mes historianëve. Në këndvështrimin tim, pavarësisht emërtimeve, lufta mes shqiptarëve, me shumë viktima, në periudhën e luftës kundër pushtuesit, ka ndodhur. Ajo ka qenë e pranishme dhe është tashmë e evidentuar me fakte. Forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, krahas luftës kundër gjermanëve, në Jug, Shqipërinë e Mesme e në Veri, u ndeshën me forcat e Ballit, ato nacionaliste si dhe me ato zogiste. Kanë qenë, dhe janë tashmë të dokumentuara urdhrat e dhëna nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare e nga vetë Enver Hoxha, për asgjësimin e forcave nacionaliste. Në jug të vendit ky spastrim u krye më shpejt, ndërsa në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, u realizua me shumë viktima.

Kjo, sot duket qartazi se qe një luftë politike, ideologjike, për pushtet e drejtuar nga PKSH-ja. Pasi ajo u drejtua jo vetëm kundër elementëve të kompromentuar me gjermanët, por edhe kundër Abaz Kupit, që ishte pjesëmarrës në mjaft aksione kundër italianëve e gjermanëve. Njësitë e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, tashmë të shumta në numër, u hodhën duke shpartalluar forcat nacionaliste të Muharrem Bajraktarit, simbol i qëndresës në Veri të vendit, kundër pushtuesit. Ato u përfshinë edhe në asgjësimin e çetës së vëllezërve Kryeziu në Kosovë, që luftuan deri në fund kundër gjermanëve.

Kështu nga shtatori i vitit 1944 e, në vazhdim, Brigada VI-të partizane sulmoi e spastroi Elbasanin, Brigada V-të pjesët jashtë Tiranës, Brigada I-rë Krujën, Brigada IV-ët Mirditën, ndërsa Brigada VII-të dhe XV-të, u nisën drejt Veriut. Me kërkesën e Shtabit jugosllav dy divizione të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, u dërguan në Jugosllavi, me pretendimin në ndjekje të forcave gjermane drejt Sarajevës.

Në tetor, Brigada V-të dhe më pas Brigada III-të u dërguan në Kosovë. Brigada V-të shqiptare së bashku me partizanët e Kosmetit në Kosovë, asgjësojnë çetën e Gani Kryeziut, e cila përbënte një rezistencë nacionaliste antifashiste atje. Dhe kjo ndodhi sepse, forcat partizane të Kosmetit nuk kishin përkrahje të gjerë në popullin e Kosovës, ndërsa formacioni luftarak i Kryezinjve, mund të ishte e vetmja qendër rezistence kundër rivendosjes së administrimit jugosllav në Kosovë dhe që gëzonte përkrahje në popull.

Ishte pikërisht kjo që mund të çonte në një kryengritje të përgjithshme nacionaliste të kosovarëve. Siç duket, ky fakt përbënte një shqetësim për udhëheqësit komunistë në Jugosllavi dhe në Shqipëri. Nënvizojmë se çeta e Kryezinjve e përbërë nga afro 1500 luftëtarë, luftoi gjithë kohën kundër italianëve dhe gjermanëve, pa asnjë kompromis dhe nuk u bashkuan as me partizanët e Kosmetit e, as me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare Jugosllave.

Ndaj bie në sy, që synimi i brigadave partizane shqiptare, ishte asgjësimi i Lëvizjes Nacionaliste në Kosovë. Këtë e vërteton edhe lufta e tyre kundër çetës së Kryezinjve. Kjo e fundit në vjeshtën e vitit 1944, qe dobësuar nga betejat e vazhdueshme kundër forcave gjermane. I mbetur pa ndihma, Gani Kryeziu e pozicionon çetën e tij pas Qafës së Prushit, për të mbrojtur hyrjen në Gjakovë. Këtu, edhe do të pushonin, si dhe pritnin ndihmat e mundshme nga britanikët. Pikërisht në këto rrethana, ata sulmohen nga Brigada V-të dhe i kërkohet të bëhet pjesë e Frontit Nacional-Çlirimtar, por ai nuk pranon.

Ndërkohë arrestohet në pabesi dhe i dorëzohet forcave jugosllave. Duket se është një koordinim i paramenduar midis Partisë Komuniste Jugosllave dhe PKSH-së, për arsye se, njëri nga vëllezërit Kryeziu, Seidi, u ftua për bisedime në Shqipëri e që më pas e detyrojnë të shkojë në Jug, për të takuar Enver Hoxhën. Seid Kryeziut iu premtua një vend i lartë në Qeverinë shqiptare dhe i kërkohet të bashkëpunojë me PKSH-në, por ai e refuzon këtë bashkëpunim. Ishte Kuartieri i Misionit Britanik, që mundi të evakuojë atë për në Itali.

Fati vëllezërve të tjerë, ishte tragjik. Hasan Kryeziu u vra në afërsi të Gjakovës, ndërsa Gani Kryeziun, Brigada V-të partizane shqiptare, e dorëzon te Jugosllavët, të cilët e dënojnë me 5 vjet burg. Pas burgimit, në vitin 1950, atë e eliminojnë fizikisht. Në këtë mënyrë u eliminua, me ndihmën e partizanëve shqiptarë, bërthama e një qeverie të mundshme nacionaliste në Kosovë. Veç Brigadës V-të dhe III-të, morën urdhër te ktheheshin në Kosovë edhe dy divizionet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë të dërguara në Sarajevë, kundër gjermanëve. Me të drejtë lind pyetja, se përse u dërguan partizanët shqiptarë në Jugosllavi?

Në Plenumin e Beratit, nëntor 1944, përfaqësuesi jugosllav Velimir Stoiniç shprehet: “Luftëtarët do të shkojnë të luftojnë përtej kufirit dhe jo të kthehen në shtëpi…! Do të bëni që populli jugosllav të fyhet rëndë, në qoftë se nuk koordinoni veprimet…! S’është çështja e ushtarëve, por e ndërgjegjes komuniste”! Pra siç edhe shihet nënshtrimi i PKSH-së nga ajo jugosllave, ka qenë evident gjatë gjithë periudhës së luftës. Nga dokumentet e kohës së luftës thuhet se në Jugosllavi u vranë 297 partizanë, por nuk dihet sa u vranë kundër gjermanëve dhe sa kundër vëllezërve të tyre kosovarë, në luftën civile mbarëkombëtare.

Nga këta, 128 vetëve nuk iu njohën kufomat e, nuk u dihet vend-varrimi. Studiuesi dhe historiani Uran Butka, na ka vënë në dorë radiogramet e Shtabit të Divizioneve V-të e VI-ët të Shqipërisë që ndodheshin në Kosovë, dërguar Komandës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, gjatë muajve mars e prill 1945, si dhe listat e numrit të të dorëzuare kosovarë në shtabet e Divizionit V-të e VI-të. Përgjigjja e Enver Hoxhës ishte: “Të arratisurit e dorëzuar në divizion, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”. Me këto robër lufte, Komanda jugosllave mbushte kolonat ushtarake që i dërgonte si mish për top në Srem të Serbisë e, në Tivar. / Memorie.al