Ballina Aktualitet Melanoma po shfaqet edhe te moshat e reja/ Mjekët ngrenë alarmin për...

Melanoma po shfaqet edhe te moshat e reja/ Mjekët ngrenë alarmin për kancerin e lëkurës, apelojnë kujdes të veçantë

33
0

Kanceri i lëkurës po shënon rritje nga viti në vit në popullatë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, tumoret me numër më të lartë të rasteve të reja të diagnostikuara në Shqipëri janë ai i lëkurës, gjirit dhe mushkërive. Por cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kancerit të lëkurës sipas mjekëve specialistë?

“Disa shkaktarë janë kryesisht ekspozimi në diell. Dielli është ai që i shkakton kancerat, genetika, ngacmimi i herëpashershëm i një nishani ose i një gjendje prekanceroze, i kancerave më të thjeshtë, apo faktorë kimikë dhe fototerapitë që bëhen në qendra estetike për të marrë ngjyrë”, tha mjekja dermatologe Violeta Dajci.

Mjekët dermatologë theksojnë se melanoma është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, e cila prek edhe moshat e reja.

Për kancerin benign, në përgjithësi shfaqen në mosha të rritura, ndërsa melanoma shfaqet në të gjitha moshat, dhe kryesisht tek moshat e reja.

Dermatoskopia, pajisja që diagnostikon dhe parandalon në kohë nishanet kancerogjene, është tashmë në qendrën e konsultave pranë QSUT-së, duke iu ardhur në ndihmë pacientëve që shfaqin shqetësime.

“Që të parandalojmë melanomën, është edhe dermatoskopia që duhet bërë për nishanet një herë në vit. Dermatoskopia zbulon shumë herët patologjitë, është hapi i parë i diagnostikimit, por kërkohet gjithmonë të bëhet një biopsi. Ndihmon shumë që në fillimet e hershme.”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Europë gjatë një viti identifikohen 100 mijë raste me kancer lëkure, prej të cilave 16 mijë humbin jetën.