Pas disa muajsh thatësire dhe temperaturash të larta, veçanërisht Kukësi është përfshirë nga reshje shiu. Komisioni i Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës ka bërë të ditur se, pavarësisht reshjeve, qarkullimi në rrugët nacionale dhe rurale vijon normalisht. Rikthimi i reshjeve të shiut pritet që të parandalojë rënien e mëtejshme të nivelit të ujit në liqenin e Fierzës që prej katër muajsh me thatësirë të madhe po përballet me mungesë prurjesh nga burimet kryesore që aktualisht e furnizojnë liqenin me 30 metër kub ujë. Pamjet e xhiruara në zonën e Bushatit dhe pranë urës së madhe, afër ish-Uzinës së Bakrit, tregojnë një panoramë të pazakontë.
Rezervuari më i madh i kaskadës së Drinit është kthyer në një shtrirje balte, ku tashmë dallohen vetëm vijat e rrjedhjes së Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë. Dy skajet ujore të liqenit janë shndërruar në toka të baltëzuara, duke sjellë edhe ndotje të pjesës së mbetur ujore, e cila po shkon drejt shterimit të plotë. Thatësira e gjatë ka bërë që mbi sipërfaqe të dalin masive shkëmbore dhe truall e rruge që prej dekadash qëndronin nën ujë, duke ndryshuar tërësisht pamjen e liqenit. Liqeni i Fierzës ka rënë në 17 metra larg pikës së “vdekjes”, nivel ky i tre viteve me pare. Sipas të dhënave, niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në 257 metra. Pika optimale në liqen është 271 metër, ndërsa ajo minimale 244 metra.
Kuota maksimale arrin në 296 metra. Diferenca e madhe tregon përmasat e krizës ujore, e cila ka pasoja të ndjeshme edhe në prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentrali i Fierzës, që është një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit energjetik kombëtar.







