Qytetarët e Tiranës pritet që muajt në vijim t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, pas goditjeve të fundit që mori Erion Veliaj në Këshillin Bashkiak dhe më pas në Këshillin e Ministrave. Partia Socialiste ka nisur punën, me Ogerta Manastirliun si emri i radhës që do të kërkojë karrigen e kryeqytetit. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime me të gjithë socialistët, duke u dhënë udhëzimet për betejën e radhës.
Ndërsa PS është e qartë dhe e organizuar, Partia Demokratike duket se ka ngecur në një udhëkryq, dhe sipas tyre shkaku kryesor është mungesa e një emri kandidati që të jetë i gjithëpranuar nga spektri opozitar.
Por kjo duket më shumë një justifikim, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një forcë politike që kandidatët përfundimtar përzgjidhen nga kryetari, edhe kur organizohen gara si primaret. Ndërsa retorika që përdorin disa përfaqësues të PD-së në publik, krijon përshtypjen se PD është e interesuar të shtyjë kohën e një përballjeje të dytë me PS brenda vitit, duke u bazuar në frikën e një humbjeje tjetër, shumë afër asaj të 11 majit.
Kjo frikë ka disa arsye. E para, PD sapo pësoi një humbje të thellë, duke i dorëzuar Ramës mandatin e katërt me një superqeveri. Shto këtu edhe mungesën e analizës dhe mosmbajtja e përgjegjësive për dështimet e radhës, një tjetër humbje në Bashkinë e Tiranës do të vendoste në qendër të vëmendjes problemet e shumta që PD ka në paaftësinë për të qenë alternativë reale.
Prandaj, duke qenë se zgjedhjet nuk mund t’i shmang plotësisht, opozita me gjasë synon t’i shtyjë sa më shumë në kohë. Dhe kjo synohet të realizohet përmes padisë që Veliaj mund t’i bëjë vendimeve për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të sillte një ngërç tjetër ligjor që do të hante shumë kohë deri në zgjidhjen përfundimtare.
Duke e parë këtë si mundësi nga droja e humbjes së radhës, përfaqësuesit e PD-së përdorin një retorikë në publik që më shumë nxit Veliajn të shkojë në Kushtetuese. Ndoshta kjo është dhe arsyeja se pse nuk shqetësohen shumë për konkurrentin që do nxjerrin përballë Manastirliut.
Mjafton të shohim se si Sali Berisha të nesërmen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak që shkarkoi Veliajn, doli më konferencë për mediat ku pati dhe një thirrje për avokatët e kryebashkiakut që të ndjekin rrugën ligjore me pretekstin se kështu nuk mbrojnë vetëm Veliajn por edhe Kushtetutën.
“Çfarë po ndodh? Erion Veliajt po i kërkohet në mënyrë ultimative që të mos shkojë në Gjykatë Kushtetuese për të dalë nga burgu, për të ndiqur hetimet i lirë dhe me lehtësira. Unë u bëj thirrje avokatëve të tij që të mos heshtin, sepse nuk po mbrojnë vetëm Erion Veliajn, por po i dalin zot parimeve kushtetuese dhe Kartës Europiane të Autonomisë Lokale. I dalin zot sigurisë ligjore pa të cilën nuk ekziston shtet ligjor,” tha Berisha.
Ndërsa deputeti Belind Këlliçi në daljet e tij mediatike e shpreh në një mënyrë tjetër, duke pretenduar se nëse zgjedhjet e pjesëshme vendore zhvillohen brenda 45 ditëve, atëherë ka një marrëveshje mes Ramës dhe Veliajt që ky i fundit të mos ankimojë vendimin e shkarkimit dhe të përfitojë “arrest shtëpiak”.
“Nëse zgjedhjet bëhen brenda 45 ditëve, pas dekretimit politik nga presidenti, në gjykimin tim është arritur një marrëveshje mes Ramës dhe Veliajt që ai të mos e ankimojë vendimin e shkarkimit dhe të dalë në arrest shtëpie. Nga burime informale e kam këtë informacion, nuk e konfirmoj dot, por ka një thashethemnajë që s’e çon në Kushtetuese”, u shpreh Këlliçi.
Pra, argumentet e përfaqësuesve opozitarë të japin përshtypjen se ata presin me padurim një ankimim të Veliajt në Kushtetuese, sesa janë të interesuar për zgjedhjet. Sepse nëse do ishte ndryshe, opozitës nuk do i interesonte shumë procedura për të flakur ka nga karrigia një nga njerëzit që përveçse e kanë akuzuar si një nga “demonët” e korrupsionit, por dhe që i ka mundur në tre palë zgjedhje siç kanë pretenduar ata me “masakra elektorale”. Në fund të fundit, procedura është çështje e drejtësisë dhe opozitës i duhet kapitali politik që vjen nga shkarkimi i tij.
Por kjo do të ishte e mundur vetëm me një opozitë që ka guximin për t’u rigjeneruar dhe për të dalë si alternativë reale para qytetarëve, duke propozuar edhe emrin potencial për kandidat që në muajin kur Veliaj shkoi në qelinë e burgut. Jo me një forcë politike, e cila vazhdon të shkojë nga humbja në humbje, dhe që tani i druhet një tjetër humbje brenda vitit./vna