Kompania amerikane Meta, pronare e rrjetit social Facebook, ka njoftuar se po prezanton një asistent të bazuar në inteligjencën artificiale në shërbimin e saj Facebook Dating, që synon të ndihmojë përdoruesit të njohin shpirtin e tyre binjak.
Inteligjenca artificiale mund t’i sugjerojë përdoruesve, për shembull, të kërkojnë një “vajzë nga Bruklini që punon në industrinë e teknologjisë”, ose të përmirësojë profilin e përdoruesit për ta bërë më tërheqës për partnerë potencialë, transmeton Tech Crunch.
Funksioni i ri “Meet Cute” u ofron përdoruesve çdo javë një “takim të papritur”, të zgjedhur nga algoritmi, duke reduktuar kështu, sipas Metës, lodhjen nga lëvizja e pafund nëpër profile. Kompania thekson se kjo veçori e lehtëson zbulimin e kontakteve të reja, veçanërisht për përdoruesit më të rinj.
Numri i të rinjve nga mosha 18 deri në 29 vjeç që krijojnë profile në Facebook Dating është rritur me 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse numri i përgjithshëm i përdoruesve ende mbetet më i ulët sesa ai i konkurrentëve si Tinder apo Hinge, të cilët kanë dhjetëra miliona përdorues aktivë çdo ditë.
Facebook Dating është i disponueshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shumicën e vendeve të Evropës, si dhe në rajone të tjera, por ende nuk është lansuar zyrtarisht në Serbi.
Asistentët e bazuar në inteligjencën artificiale tashmë janë bërë standard në aplikacionet për njohje, dhe drejtoresha ekzekutive e aplikacionit Bumble, Whitney Wolfe Herd, madje po shqyrton mundësinë e prezantimit të një vegle që do të merrte pjesë në takime në vend të përdoruesve.