Janë gjetur prova për herë të parë se fëmijët e rrëmbyer ukrainas janë përdorur nga Rusia për të montuar pajisje ushtarake, sipas kreut të ekipit të Universitetit Yale që po heton fatin e gati 20.000 të miturve që raportohet se janë rrëmbyer ose zhvendosur me forcë.
“Është hera e parë që kemi parë ndonjë përshkrim të tillë të fëmijëve të përfshirë në ndërtimin e pajisjeve për operacione ushtarake”, tha për Radion Evropa e Lirë Nathaniel Raymond, drejtues i Laboratorit për Kërkime Humanitare në Yale.
Raymond tha se ekipi i tij ka parë dokumente qeveritare ruse ku përshkruhej se si fëmijëve 13–17 vjeç u ishte dhënë një orë mësimi mbi montimin e dronëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake në prill të vitit të kaluar.
Incidenti, i përmendur në një raport të ri nga ekipi i Raymondit, ka ndodhur në një kamp buzë detit të Zi të quajtur: Ndryshimi.
I drejtuar nga Ministria ruse e Arsimit, kampi thuhet se ka pritur të paktën katër grupe prej rreth 300 të miturish ukrainas midis viteve 2022 dhe 2025.
Një nga këto grupe ishte përfshirë vitin e kaluar në “prodhimin e pajisjeve ushtarake, përfshirë UAV (mjete ajrore pa pilot), dronë, detektorë minash dhe pajisje metalike për mbushje të shpejtë të pushkëve automatike”, tha Raymond.
“Flamurtari i edukimit të fëmijëve”
“Nëse kjo verifikohet, do të përbëjë përshkallëzim tronditës”, tha për REL-in Daria Herasymchuk, këshilltare për të drejtat e fëmijëve e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i trajtojë këto zbulime me seriozitetin që meritojnë”, shtoi ajo.
Në faqen e tij të internetit, kampi Ndryshimi përshkruhet si “flamurtari i edukimit dhe argëtimit të fëmijëve në Rusi” me “mbrojtje të përhershme” nga “trupat e Gardës Kombëtare”.
Faqja konfirmon gjithashtu zbulimet e hulumtimit të Yales se një organizatë rinore me prirje militariste e quajtur Yunarmia, për të cilën REL-i raportoi në dhjetor, organizon ngjarje në kampin Ndryshimi. Ajo e renditi gjithashtu Yunarmian si një ndër partnerët e tij.
Raporti i Yales thotë se Yunarmia ka organizuar një ngjarje vjetore të quajtur YuNTEKh midis viteve 2022 dhe 2025, ku kanë marrë pjesë fëmijët e rrëmbyer ukrainas. Ishte pikërisht në këtë aktivitet në prill të vitit 2024 ku dyshohet se ka ndodhur puna për montimin e pajisjeve ushtarake.
Ueb-faqja e Ndryshimit nuk përmend prodhimin e dronëve apo të armëve automatike. Por, lista e aktiviteteve për këtë vit përfshin YuNTEKh.
“Qëllimi i programit është zhvillimi i modelit të një specialisti modern të forcave të armatosura ruse përmes zgjidhjes praktike të problemeve”, thuhet në të, duke shtuar se programi ishte për fëmijë të moshës 14–17 vjeç.
YuNTEKh i këtij viti u mbajt nga 14 deri më 27 prill. Raporti i Yales përmban fotografi satelitore të kampit Ndryshimi, me datë 16 prill, ku duken njerëz duke bërë stërvitje në formacione të organizuara në një fushë sporti dhe në një hapësirë tjetër të hapur brenda kampit.
Raporti i Yales përmend “njolla të errëta… që përputhen me personel individual në formacione të organizuara”.
Drejtësia ndërkombëtare – por jo në Gjykatën Ndërkombëtare Penale
Raymond tha se gjetjet e ekipit të tij i janë ofruar Europolit dhe autoriteteve ukrainase për t’i ndihmuar në hetimet për krime lufte, por jo edhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.
“Nuk e dimë nëse mbështetja për GJNP-në në lidhje me Ukrainën ndalohet nën regjimin e sanksioneve të Trumpit. Nuk e dimë. Dhe, për këtë arsye, në këtë pikë, po veprojmë me kujdes”, tha ai.
GJNP-ja mund ta kërkojë materialin nga Europoli ose nga Ukraina.
Kjo gjykatë ka lëshuar tashmë fletarrestime për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për komisionaren për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për krime lufte lidhur me rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.
Sidoqoftë, Raymond tha se ekipi i Yales nuk ka bërë publike dokumentacionin zyrtar rus në burim mbi këto akuza, në mënyrë që gjykatat “t’i përdorin burimet origjinale me rrezik minimal që ato të ndryshohen ose të hiqen”.
Hulumtimi i ri përmban gjithashtu hollësi shtesë për mënyrën se si kampet ruse po përdoren për t’i militarizuar fëmijët e rrëmbyer ukrainas.
Raymond përmendi imazhe satelitore “tronditëse” të kampeve verore me llogore të gërmuara në formë Z-je, si një mënyrë për t’i shmangur sulmet me dronë.
“Të shihje struktura llogoreje në disa prej këtyre vendndodhjeve stërvitore që përputheshin me format aktuale të llogoreve në vijën e frontit, ishte rrëqethëse, sepse kjo ishte prova më e qartë që kemi pasur deri më sot se në këto qendra ata po përgatiten për kushte të vërteta të luftës në front”, tha ai.
Këshilltarja presidenciale ukrainase Herasymchuk tha se kjo përputhet me një model tashmë të dokumentuar.
“Fëmijët po vendosen në programe të ashtuquajtura ‘patriotike’ të riedukimit, po stërviten me ushtrime ushtarake, po mësohen të përdorin armë dhe po përgatiten për shërbim të ardhshëm në Forcat e Armatosura Ruse”, tha ajo për REL-in.
Më parë, REL-i ka raportuar gjithashtu për përpjekjet e Rusisë për t’i indoktrinuar fëmijët ukrainas.
Ekipi i Yales thotë se ka hartuar të paktën 210 qendra në të gjithë Rusinë dhe zonat e pushtuara të Ukrainës ku janë dërguar fëmijë ukrainas, nga të cilat 156 janë identifikuar rishtazi në raportin e fundit.
“Çfarë gjetëm është se 50 për qind e të gjitha qendrave ishin të përfshira drejtpërdrejt nga Qeveria federale ruse… drejtpërdrejt brenda zinxhirit komandues të Kremlinit. Kjo është një gjetje e rëndësishme”, tha Raymond.
“Ne nuk kishim [më parë] prova specifike në formën e dokumenteve të inkorporimit që lidhnin drejtpërdrejt këto qendra me Kremlinin”, shtoi ai.