Ballina Opinion PD-ja duhet të nxjerrë kandidatin e saj për Tiranën. Kush fiton Tiranën...

PD-ja duhet të nxjerrë kandidatin e saj për Tiranën. Kush fiton Tiranën fiton Shqipërinë

22
0

Nga Reldar Dedaj 

Gara për Bashkinë e Tiranës ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë edhe një garë për Shqipërinë. Kush fiton Tiranën, fiton Shqipërinë. Kështu ka ndodhur edhe në të shkuarën, kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Ky është rregulli. Partia Demokratike në zgjedhjet e pritshme bashkiake nuk po rivalizohet nga emri i Ogerta Manastirliut, por nga Edi Rama, nga pushteti i tij në të gjitha përmasat që ka. Ndaj, Partia Demokratike duhet të jetë e qartë, duke hedhur poshtë, në radhë të parë, një kandidat nga shoqëria e hapur, dhe mbi të gjitha, një kandidat apo emër konsensual nga fronti i ashtuquajtur opozitar. Është naivitet i madh nga kushdo që rekomandon apo propozon një kandidat apo emër jashtë radhëve të saj, jashtë radhëve të Partisë Demokratike, forcës më të madhe opozitare në vend, forcës politike që u shkatërrua dhe u copëtua në disa copa në vigjilje të zgjedhjeve të 11 majit, me qëllimin për t’ia humbur “nam e nishan”. Por edhe pse e copëtuan, edhe pse e tallën, edhe pse e fyen, edhe pse e goditën, përsëri Partia Demokratike u mblodh, u bashkua, u forcua, qëndroi në këmbë dhe i doli përballë Edi Ramës dhe pushtetit të tij me të gjitha përmasat që ka. Në të gjitha rastet, Partia Demokratike ka fituar, i është afruar fitores dhe ka rikuperuar fuqishëm gjithmonë me kandidatët e saj politikë. Këtë na e tregon historia. Dhe në fund, gara për Tiranën i jep shansin Partisë Demokratike të kalcifikojë radhët e saj edhe më shumë, të strukturohet edhe më shumë, të tregohet edhe më e qartë akoma.

Kjo parti nuk pakësohet më. Vetëm mund të rritet e duhet të rritet. Nga kjo garë, ajo ka shansin t’u drejtojë një thirrje qytetarëve, simpatizantëve dhe të gjithëve atyre që rrinë e vështrojnë nga cepi i murit, me hamendjen se mos po ndryshon diçka. Të gjithë njerëzve të tillë e të fortë, që ndajnë me të të njëjtin mendim për Edi Ramën dhe qeverisjen e tij: të ndihmojnë për shpërthimin dhe forcimin e PD-së, të votojnë kandidatin e saj, emri i të cilit do të jetë edhe përballja e parë e pjesës më të civilizuar të vendit me pushtetin dhe shtetin, që jetën e qytetarëve të këtij qyteti jo vetëm e ka bërë më të papërballueshme, por shumë më tepër se kaq, e ka bërë krejtësisht të pajetueshme. Këtu duhet të jetë dhe duhet të vendoset Partia Demokratike, në llogoren e interesit qytetar. Me qytetarët dhe përkrah tyre. Atëherë, po, mund të themi se kjo është politikë dhe betejë politike. Qytetarët dhe mbi të gjitha votuesit kërkojnë sinqeritet nga një parti e madhe, kërkojnë qartësi dhe vërtetësi. Ata kërkojnë guxim në radhë të parë, sepse pa guxim nuk ka as shpresë. Sepse shpresa edhe mund të vdesë një ditë, nëse askush nuk guxon për t’u përballur me atë që ua ka nxirë jetën qytetarëve. Prandaj, beteja për Tiranën s’mund të përmblidhet vetëm në luftën për Shqipërinë, sepse edhe pse është e mjaftueshme, prapë se prapë, ajo është shumë më shumë se kaq: është edhe betejë për dinjitetin, i cili është vjedhur dhe dhunuar tash e dymbëdhjetë vjet nga pushteti socialist.

Alternativa është lideri, thotë një aksiomë politike. Partia Demokratike qëndroi si alternativa e vetme politike përballë Edi Ramës dhe pushtetit të tij. Arriti të jetë forcë garantuese dhe thelbësore jo vetëm për proceset e integrimit të vendit, por edhe koni i themelit, që i kujton gjithmonë Edi Ramës dhe pushtetit të tij, se pushteti edhe mund të ndërrohet. PD, me gjithë plagët, përçarjet, dështimet, është një institucion historik i këtij vendi. Është pjellë e dhimbshme e viteve ’90, e atij momenti kur shqiptarët ndanë përfundimisht drithmën e frikës nga fryma e lirisë. Sali Berisha ka shansin e madh, si çdo lider i fortë në botë, të ketë edhe përmasën e tij. Metrin ia vendosin qytetarët e lirë në zgjedhjet e 11 majit. Ai është garancia, intuita politike e të cilit, aftësia për të komunikuar me qytetarët dhe simpatizantët e kësaj force është ashtu si ka qenë edhe tridhjetë e ca vite më parë. Nëse nuk do të ishte e tillë, si mund të shpjegohet që pas 9 shtatorit të famshëm, vetëm me pesë ndjekës, arriti të ringrejë edhe njëherë tjetër kumtin e tij politik? Fillimisht duke organizuar një konferencë për mediat në një hotel të njohur të kryeqytetit dhe pastaj, dalëngadalë, duke u takuar me demokratët dhe simpatizantët në çdo rreth e qytet të vendit, deri sa arriti të marrë partinë, ta mbajë në lojë dhe ta vendosë përballë Edi Ramës dhe pushtetit të tij, me të gjitha përmasat që ai ka, përballë si alternativa e vetme politike që mund ta sfidonte.

Partia Demokratike është në gjenezë dhe në gjen një subjekt politik konkurrues. Ka lindur nga nevoja për t’u përballur. Nëse nuk do të jetë e tillë, atëherë ajo nuk është më PD. Mund të jetë çdo gjë tjetër, por nuk është më PD. Do të ishte e trishtë dhe e turpshme për forcën më të madhe opozitare që betejën për Tiranën, betejën për Shqipërinë, ta realizonte me “mashat e të tjerëve, për të mos djegur duart e veta”. Për këtë qëndron në këmbë Partia Demokratike? Jo. Ajo është forca e vetme politike dhe opozitare në vend që i kujton Edi Ramës dhe regjimit që ka instaluar prej dymbëdhjetë vitesh se mund të rrëzohet. Për këtë qëndron në këmbë Partia Demokratike. Beteja me kundërshtarin është edhe më e rëndësishme sesa edhe vetë fitorja. PD, aktualisht, nuk është e thënë të jetë shumicë, por një pakicë krijuese e vendimeve të mira. Kjo është partia e interesit qytetar dhe jo e interesave që kanë kapur për fyti ekonominë dhe jetën politike të vendit. Është partia e përballjes dhe, duke qenë e tillë, është vetëm partia që mund të rritet. Mund të rritet në garë, sepse gara prodhon edhe liderin, edhe idetë, edhe humbjen, edhe fitoren padiskutim…