Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, komentoi vendimin e kësaj force politike për të paraqitur një kandidat të saj në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Muçi tha në Euronews Albania se vendimi do të merret nga Këshilli Koordinues i Lëvizjes Bashkë dhe nëse emri i tij zgjidhet për kandidaturë për Bashkinë e Tiranës, mandati i deputetit do t’i kalojë Arlind Qorit.
“Në momentin që do të shpallet data e zgjedhjeve, atëherë edhe ne do të dalim me kandidatin tonë, që mund të jetë kushdo prej nesh. Nuk është detyrimisht që do të jetë Arlind Qori, mund të jem edhe unë, por edhe dikush tjetër si Mirela Ruko, Jani Marka, ka një sërë figurash që mund të ishin të denja për kandidaturë për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Do të diskutohet si strategji brenda Lëvizjes Bashkë dhe unë, sigurisht, do t’i bindem vendimit të kolektivit. Nëse unë do të jem kandidati i përzgjedhur, vendin tim në parlament do ta zërë Arlind Qori, i cili është i dyti në listë”, tha Redi Muçi.