Në Tajvan e quajnë “miushi i vogël”.
Në Rusi “qen”.
Në Holandë “bisht majmuni”.
Në Izrael “strudel”.
Ndërsa për botën anglisht-folëse është thjesht “at” (et). Por simboli @, një nga shenjat më të përdorura të komunikimit digjital, mbart një histori që shkon pas mijëra vitesh.
Sipas një analize të BBC, origjinat e këtij simboli lidhen me amforat e Greqisë së lashtë, enë qeramike të përdorura për vaj, verë dhe drithëra. Me kalimin e kohës, amfora u bë njësi matjeje dhe tregtarët nisën të përdornin një “a” me bisht të gjatë, duke shënuar “një amforë” mall.
Dokumenti më i hershëm i gjetur që e përdor @ daton në vitin 1375 në një dorëshkrim bullgar, ndërsa përdorimi i parë modern është në një letër tregtare të vitit 1536 nga Francesco Lapi, ku @ nënkuptonte një amforë vere me çmim të caktuar. Shekuj më vonë, shenja u fut në makinat e shkrimit të shekullit XIX për nevoja kontabiliteti dhe mbijetoi në tastierat e kompjuterëve.
Roli i saj u transformua në vitin 1971, kur shkencëtari amerikan Ray Tomlinson e përdori për herë të parë në adresat e postës elektronike në projektin Arpanet, pararendësin e internetit. Që prej asaj dite, @ u bë pjesë e pandashme e identitetit digjital të njeriut.
Interesant mbetet fakti se kulturat e ndryshme i kanë dhënë emërtime të veçanta bazuar në formën e saj, nga “kërmilli” në Itali, tek “peshku i mbështjellë” në Çeki. Në Spanjë e Portugali, @ njihet si “arroba”, një term që lidhet me matjet e lashta dhe sot përdoret shpesh si simbol gjithëpërfshirës gjinor, për shembull në fjalën “amig@s”.
Përtej përdorimit praktik, studiuesit theksojnë se @ është bërë pjesë e identitetit personal në hapësirën digjitale, duke ndikuar në mënyrën se si zgjedhim dhe shprehim emrin tonë online.
Një kuratore e Muzeut të Artit Modern (MoMA) në Nju Jork, Paola Antonelli, e përfshiu @ në koleksionin e përhershëm të muzeut, duke e konsideruar jo thjesht një shenjë praktike, por një objekt dizajni që mbart një univers të tërë historik dhe kulturor.
Nga amforat e Greqisë së lashtë tek adresat e email-it, @ është një simbol që lidh mijëvjeçarët dhe dëshmon se edhe një shenjë e vogël në tastierë mund të ketë një histori gjigante.