Ballina Politika Tabaku: Shtrenjtimi i jetesës po e bën të pamundur mbijetesën e familjeve...

Tabaku: Shtrenjtimi i jetesës po e bën të pamundur mbijetesën e familjeve shqiptare

31
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin e rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës për familjet shqiptare, duke e cilësuar atë si problemin më të madh të çdo familjeje sot.

“Çdokush që më kontakton e ka si problem kryesor shtrenjtimin e jetesës. Rritja e çmimeve me rreth 20% për produktet bazë të shportës gjatë viteve të fundit ka bërë jetën e një familjeje shqiptare pothuajse të pamundur”, theksoi Tabaku.

Ajo solli shembullin e një familjeje të vogël me katër anëtarë, e cila shpenzon mesatarisht 38,700 lekë në muaj vetëm për ushqime. “Ç’mund të bëjë një familje me dy paga minimale prej 40 mijë lekësh? Ç’të paguajë më parë, si mund t’ia dalë?”, u shpreh Tabaku, duke theksuar se edhe paga minimale nuk zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë bizneset.

Deputetja demokrate kritikoi faktin se Shqipëria renditet e fundit jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë, sa i përket rritjes së pagave.

Sipas saj, kjo situatë është pasojë e mungesës së konkurrencës në treg, zhvlerësimit të euros dhe rënies së të ardhurave të disponueshme për familjet.

“Ky model ekonomik punon vetëm për një pakicë. Shumica e qytetarëve ndihen të lënë pas dore, sepse nuk ka shpërndarje të barabartë të rritjes ekonomike dhe të ardhurave”, u shpreh Tabaku.

Sipas Tabakut, zgjidhja është e thjeshtë dhe kërkon vetëm vullnet politik, një vullnet që qeverisë aktuale i ka munguar gjatë gjithë këtyre viteve.