Ngjitur me digën e Liqenit Artificial ka nisur ndërtimi i një kompleksi me 5 kulla. Bëhet fjalë për një projekt masiv të quajtur Tirana Lake, i cili ka 5 kulla me një sipërfaqe totale ndërtimi prej 228.3 mijë metër katrorë.
Projekti Tirana Lake
Kompania ndërtuese e kompleksit është Building Construction Invest. Kjo kompani është themeluar në shtator të vitit 2021 nga Ilir Merja. Por më pas kompania ndërroi disa herë duar. Fillimisht Ilir Merja ja shiti kompaninë për 5 milionë lekë një shoqërie aksionare të quajtur BA Investment, e cila zotërohet nga Nexhip Hajdëraj, një ish naftëtar, punonjës i ARMO-s.
BA Investment qëndroi vetëm për tre muaj pronare e shoqërisë. Në shkurt të vitit 2022, ajo e shiti Building Construction tek një kompani e quajtur MAT & Nat, e cila zotërohet nga Ardian Avdalli. çmimi i shitjes këtë herë ishte 10 milionë lekë.
Por edhe Avdalli, nuk ishte caktuar si pronari fundor i projektit Tirana Lake. Në fund të vitit 2023, kompania Building Construction u shit sërish. Këtë herë blerësi ishte shoqëria AMAR, e Armand Lilos dhe çmimi i shitjes ishte 12.5 milionë euro.
Sipas kontratës së shitjes, Avdalli përfitoi 500 mijë euro menjëherë me nënshkrimin e kontratës, ndërsa pjesën tjetër prej 12 milionë eurosh do ta marrë në natyrë me sipërfaqe ndërtimore.
Projekti
Projekti Tirana Lake shtrihet në një sipërfaqe trualli prej 32.5 metër katrorë. Një pjesë të tij, rreth 2100 metër katrorë, shoqëria Building Construction e bleu nga shteti përmes një kontrate me Ministrinë e Financave për vlerën 143 milionë lekë ose rreth 68 mijë lekë për metër.
Me te verdhe, vendi ku do te ndertohet kompleksi Tirana Lake
Projekti parashikon ndërtimin e 5 kullave 17 katëshe, të cilat i shtohet kompleksit të kullave që po ngrihet me shpejtësi në atë zonë, pavarësisht kundërshtive publike për betonizimin e Liqenit, por edhe shqetësimet për sigurinë.
Në vitin 2015, socialistët kundërshtuan fort ndërtimin e një kompleksi nga kompania Gener 2 nën Digën e Liqenit, duke protestuar edhe para Gjykatës Administrative. Leja për këtë projekt ishte dhënë nga Lulzim Basha dhe sipas socialistëve, me në krye ish kryetarin e Bashkisë të shkarkuar tashmë, Erion Veliaj, projekti rrezikonte sigurinë e digës së Liqenit.
Por gjykata e vlerësoi lejen e projektit si të ligjshme dhe shqetësimi i Rilindasve për liqenin u shua, deri në pikën që më pas filluan vetë të jepnin leje për beton masiv nën digën e Liqenit./kapitali