Historia e ndërtimit të kullës në truallin e ATSH-së, e quajtur “VOID Tower” ka marrë një kthesë të papritur. Fillimisht, fitues i projektit u shpall kompania Aiba e Armando Dukës, pasi në mars të këtij viti Korporata e Investimeve e shpalli si ofertën më të favorshme: shteti shqiptar do të merrte 46.1 për qind të hapësirës së ndërtimit, ndërsa pjesa tjetër i kalonte ndërtuesit privat.
Në garë ishte edhe kompania Progeen e biznesmenit Genc Kuçuku, e cila kishte ofruar 45 për qind për shtetin, pra më pak sesa oferta e Dukës.
Por, siç mëson ekskluzivisht Skyëeb.al, gjatë fazës së negociatave mes Korporatës së Investimeve dhe kompanisë së Dukës nuk është arritur dot një marrëveshje përfundimtare. Si pasojë, projekti i është kaluar Progeen-it të Kuçukut, duke e ulur automatikisht përqindjen e hapësirës që i mbetet shtetit shqiptar nga 46.1 për qind në vetëm 45 për qind.
Në praktikë, kjo do të thotë se shteti humbet një pjesë të sipërfaqes që do të përfitonte nga ndërtimi, duke ia kaluar më shumë metra privatit.
Kulla pritet të ndërtohet mbi truallin dhe godinën ekzistuese shtetërore, ku sot ndodhet Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe më parë kanë funksionuar Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Ministria e Mjedisit. Bëhet fjalë për një zonë të preferuar, buzë Lanës dhe pranë Bulevardit “Zhan Dark”, shumë afër qendrës së Tiranës.
Sipas projektit, privati do të ndërtojë një sipërfaqe gjigande prej 87 mijë metrash katrorë, me një kosto investimi të llogaritur në rreth 110 milionë euro. Në këmbim, shteti shqiptar do të marrë përqindje të sipërfaqes së ndërtuar, ndërsa administrimi i godinës së re do të mbetet në duart e firmës private./Skyweb