Ballina Opinion Gazetaria në Tiranë

Gazetaria në Tiranë

22
0

Nga Thoma Gëllçi

Në katin e sipërm të kullës me xhama të shndritshëm, aty ku shkëlqimi i logove shuhej vetëm kur fikeshin dritat e qytetit, qëndronte pronari i Televizionit të Madh. Shikonte nga dritarja detin e betonit nëpër Tiranë dhe mundohej të numëronte se sa shtresa betoni ishin meritë e tij.

Ishte mëngjes dhe dielli sapo kishte dalë mbi Dajt dhe edhe gazetarët e tij ishin futur në zyra në pritje të direktivave që do të lexoheshin në mbledhjen e mëngjesit. Pronari e dinte që duhet të priste. Kush do ishte i pari? Ra telefoni.

Ishte ministri i financave:

– O vëlla, si je? Sot hapeni me doganat dhe tatimet. Rekorde historike. Shifrat tona janë si avion. Dhe kujdes, bjeri pak atij të energjisë, se e ka tepruar me ato dritat, sikur ka shpikur diellin.

Pronarit i shkoi mendja menjëherë tek një anije me ca furnizime që i kishte ardhur dje në port si dhe ca bilance dyshe që duheshin mbuluar. Buzëqeshi dhe shënoi: Lajm kryesor – Doganat dhe tatimet zbukurojnë Shqipërinë.

Pas pak, një SMS tjetër:

“Ku je figurë? Vendi po ndriçon. Dritat tona shihen qe nga satelitet Albania 1 dhe Albania 2 . Jepini fort! Edhe nëse mundesh, nxirre financën me ndonjë shifër që s’kuptohet, se i pëlqen të fluturojë kot.”

Ishte ministri i energjisë. Pronari ngriti vetullat: kompania e tij kishte fituar tenderin për importin e energjisë. Shënim i dytë: Edicion special – Shqipëria, Las Vegas i Ballkanit.

Ende pa hequr dorën nga telefoni, ra një tjetër thirrje. Ministrja e infrastrukturës, me zë të mbushur me entuziazëm:

– Bos, rruga e re është magji! Më e lëmuar se xhami i zyrës tënde. Bëje lajm, që të mos mbetet në hije nga ato dritat. Dhe mos i lini arsimit shumë hapësirë, se ajo ka qejf të nxjerrë nxënësit në lajme si yje të Hollivudit.

Pronari psherëtiu lehtë: kompania e tij kishte edhe një kontratë për asfaltim. Shënoi: Titull – Autostrada që i lë pa frymë shoferët.

Më pas, ministrja e arsimit me një SMS të gjatë, me emoji lapsash e fletoreje:

“Nxjerrim nxënësit kampionë në matematikë. Jepni me bujë, harrojini rrugët dhe dritat. Shkollat na nxjerrin faqebardhë. Edhe, nëse keni mundësi, bëni ndonjë kronikë ku rruga e re shihet e boshatisur, se nuk na ha njeri bukën ne.”

Pronari kujtoi furnizimin e librave të rinj për shkollat, ku kishte dorë edhe ndërmarrja e tij. Shënim i radhës: Reportazh – Shqipëria, Finlanda e re ne arsim.

Nga parlamenti vinte një tjetër mesazh:

– Jepni seancën tonë maratonë, bos, është historike! Dhe për ata të qeverisë, bjeri pak, se duken sikur janë të përjetshëm.

Nga presidenca:

– Kujdes, mos harroni takimet e presidentit. Është kombëtar! Dhe nxirreni parlamentin sa më bosh në kamera.

Nga bashkia:

– Kronikë për pemët e mbjella! 12 plepa të rinj, transformim ekologjik. Dhe për kryeministrin, mos i jepni shumë, se ia morëm lajmet me pemë.

Pronari shfletoi shënimet dhe kuptoi se kjo ishte ndermrrja me e veshtire e tij. Edhe disidentet ne regjimet diktatorjale kishin me pak halle.

Në redaksi nisi puna: cilin lajm të jepnin më parë? Gazetarët shikonin njëri-tjetrin, redaktorët përplaseshin me titujt.

“Ah tha pronari, pse s’kemi sot ndonje lajm nga kryeministri! Kjo do na e zgjidhte hallin se cili lajm duhet te jepej i pari”

Dikush tha:

– Po sikur t’i japim të gjitha bashkë? Të ndajmë ekranin në ne copa?

Kështu ndodhi. Në edicionin e mbrëmjes, ekrani i Televizionit të Madh u nda si mozaik. Në njërën anë ministri i financave shpallte Shqipërinë superfuqi ekonomike dhe thumbonte kolegun e energjisë; në tjetrën ministri i energjisë shndritte si neon dhe tallte shifrat e financës; më poshtë ministrja e infrastrukturës tregonte rrugën e re që shkëlqente si pasarelë, duke nënvizuar se nxënësit e arsimit mund të mësonin vetëm mbi asfaltin e saj; në cepin tjetër, nxënësit shqiptarë fitonin Olimpiadën e Matematikës duke bërë llogaritje me sy mbyllur dhe njëri prej tyre shkruante në dërrasë: “rrugët kanë gropa”. Dhe në sfond, një kornizë më e vogël ku shfaqej parlamenti që debatonte, presidenti që fjaloste e kryebashkiaku që mbillte plepa.

Publiku u hutua. Në kafenetë e qytetit, njëri betohej se vendi ishte bërë Zvicër, tjetri se ishte bërë Dubai, një i tretë këmbëngulte se ishte bërë Finlandë. Askush nuk binte dakord, por të gjithë thoshin të njëjtën gjë:

– Po e ka thënë Televizioni .

Në redaksi, një gazetar i ri, me bllok në dorë dhe sytë plot entuziazëm, guxoi të thoshte:

– Po sikur të bëjmë një reportazh nga jeta e popullit? Të tregojmë si jetojnë njerëzit në të vërtetë, sa paguajnë, çfarë ndjejnë…

Redaksia shpërtheu në të qeshura. Dikush u përkul mbi tavolinë nga gazi, një tjetër fshinte lotët me shaminë e mikrofonit. Edhe pronari, që nuk qeshte kurrë kot, tundej mbi kolltuk me të qeshura të shtrënguara.

– Djalo, – tha më në fund, duke marrë frymë, –Shko na sill një kafe.

Djali uli kokën dhe u largua.