Ballina Europë I denoncuar për dhunë seksuale dhe fizike, influenceri Andrew Tate shpëton nga...

I denoncuar për dhunë seksuale dhe fizike, influenceri Andrew Tate shpëton nga akuzat penale në Britani

34
0

Influenceri i njohur dhe kontrovers Andrew Tate nuk do të përballet me akuza penale në Britaninë e Madhe lidhur me denoncimet e katër grave, të cilat kanë ngritur një çështje civile kundër tij në Gjykatën e Lartë të Londrës.

Sipas Prokurorisë britanike, vendimi për mosndjekje penale është marrë sepse “nuk plotësohen kriteret ligjore për ngritje akuze”, raportoi të hënën The Guardian.

Gratë në fjalë e akuzojnë Tate për dhunë seksuale dhe fizike, përfshirë një rast të pretenduar ku ai e ka kapur një grua disa herë nga fyti në vitin 2015, e ka goditur me rrip dhe i ka drejtuar armë në fytyrë.

Avokatët e Tate kanë deklaruar më herët se ai i mohon kategorikisht të gjitha akuzat, ndërsa kanë mirëpritur vendimin për mosndjekje penale.

Gratë e paditën civilisht Andrew Tate pasi Prokuroria kishte vendosur që nuk do të ngrinte akuza penale që në vitin 2019. Tre prej tyre e kishin denoncuar rastin në policinë e Hertfordshire, e cila gjithashtu e mbylli hetimin po atë vit.

Por Tate nuk ka shpëtuar plotësisht nga drejtësia në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një çështje tjetër të ndarë, Prokuroria ka miratuar 21 akuza ndaj Andrew dhe vëllait të tij, Tristan Tate, pas hetimeve të policisë së Bedfordshire. Akuzat përfshijnë:

10 akuza për Andrew Tate, përfshirë përdhunim, dhunë fizike, trafikim të qenieve njerëzore dhe kontroll prostitucioni për përfitim financiar, që lidhen me 3 viktima.
Në vitin 2024, policia britanike ka lëshuar urdhër-arreste evropiane për të dy vëllezërit, por ekstradimi i tyre është shtyrë, pasi aktualisht janë të përfshirë në një proces penal në Rumani, ku përballen me akuza të ngjashme.