Pasuri me vlerë 3 milionë euro i janë sekuestruar sot noteres Sanja Telhallari.
Nga hetimet e kryera nga prokurori Ndini Tavani ka rezultuar se gjatë 11 viteve, nga 2013 deri në 2024, 35 vjeçarja ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në në prej komplekseve më elitare në Tiranë.
Noterja ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere. Këtë luks 35 vjeçarja nuk nguronte ta publikonte as në rrjetet e saj sociale.
Sipas prokurorisë së Tiranës dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, Klodian Porja i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.
E kontaktuar nga Top Channel noterja tha se vijon punën normalisht dhe se do të shprehet kur gjykata dhe prokuroria të kenë thënë fjalën e tyre. Sipas saj e shkuara e bashkëshortit nuk mund ta prekë dhe se të ardhurat si notere i ka të gjitha të ligjshme.
Por pavarësisht këtyre dyshimeve noterja 35 vjeçare këtë të hënë e kishte një ditë të zakonshme pune në zyrën e saj noteriale në Tiranë duke pritur e përcjellë klientë.