Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi priti sot në takim kryetaren e Gjykatës së Lartë të Holandës, Dineke de Groot, me të cilin biseduan për nxitjen e dialogut institucional dhe shkëmbimin e përvojave mes dy gjykatave.
Gjatë takimit, Sadushi prezantoi prioritetet e tij për bashkëpunimin e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e dialogut ndërgjyqësor në kuadër të zhvillimeve të jurisprudencës evropiane dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi për formalizimin e raporteve institucionale.
Kreu i Gjykatës së Lartë vuri, gjithashtu, në dukje nevojën për unifikimin metodologjik të instrumenteve të harmonizimit, që do të garantojë një praktikë gjyqësore më koherente dhe zhvillimin profesional të gjyqtarëve dhe stafit të gjykatës, veçanërisht në fushën e digjitalizimit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, për të siguruar drejtësi efektive dhe të besueshme për publikun.
Ndërsa kryetarja e Gjykatës së Lartë të Holandës, De Groot vlerësoi rëndësinë e thellimit të dialogut dhe shkëmbimeve të vazhdueshme ndërmjet institucioneve të drejtësisë, të cilat forcojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe sigurinë juridike.
Përveç takimit mes kryetarëve, u zhvillua edhe një tryezë e përbashkët mes gjyqtarëve holandezë dhe trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.
Diskutimet u fokusuan tek shkëmbimi i përvojave në gjykimin kasacional, me qëllim rritjen e cilësisë së jurisprudencës dhe adresimin e sfidave të përbashkëta, veçanërisht në ndërveprimin e gjyqësorit kombëtar me atë ndërkombëtar.