Deputetja e PD-së Ina Zhupa në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, bën me dije se ka depozituar në Kuvend projektligjin që ndalon koncesionet në fushën e trashëgimisë kulturore.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa shkruan se projektligj synon ndryshimin e ligjit nr. 27/2018, i cili është hartuar në mospërputhje me Konventën e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore
“Trashëgimia jonë kulturore nuk është mall tregtar. Ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar, e historisë dhe shpirtit të këtij vendi, dhe si e tillë, nuk mund të privatizohet në emër të koncesionarëve për interesa ekonomike”, shkruan Zhupa.
Postimi i plotë i Zhupës:
Sot, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, kam depozituar në Kuvend projektligjin që ndalon koncesionet në fushën e trashëgimisë kulturore.
Ky projektligj synon ndryshimin e ligjit nr. 27/2018, i cili është hartuar në mospërputhje me Konventën e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore (Paris, 1972). Edhe relacioni shoqërues i vetë Këshillit të Ministrave, në kohën kur ligji u miratua, e pranon këtë devijim.
Me këto ndryshime, ku nenet 171–173 janë riformuluar për të mbyllur çdo hapësirë që lejon dhënien në administrim të trashëgimisë kulturore te privatët, përmes formulave si PPP-të apo koncesionet. Ato do të parashikojnë vetëm mundësinë e dhurimeve apo donacioneve, pa cënuar pronësinë dhe administrimin me dominancë shtetërore.
Trashëgimia jonë kulturore nuk është mall tregtar. Ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar, e historisë dhe shpirtit të këtij vendi, dhe si e tillë, nuk mund të privatizohet në emër të koncesionarëve për interesa ekonomike.
Si Kryetare e Komisionit të Kulturës, mbetem e vendosur të bëj gjithçka që kjo trashëgimi të mbrohet, të lartësohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm ashtu siç e meriton: e paprekur, dinjitoze dhe frymëzuese.