Ballina Ekonomia Më shumë kohë për projektet e turizmit dhe infrastrukturës/ Zgjatet afati i...

Më shumë kohë për projektet e turizmit dhe infrastrukturës/ Zgjatet afati i grantit të BERZH

30
0

Qeveria shqiptare ka miratuar zyrtarisht zgjatjen e afatit të një granti të rëndësishëm të akorduar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili synon mbështetjen e Programit të Mundësimit të Turizmit dhe Infrastrukturës. 

Ky vendim, i cili ka hyrë të hënën në fuqi, miraton marrëveshjen ndryshuese, e cila i hap rrugë përdorimit të fondeve për një periudhë më të gjatë, duke siguruar që investimet në infrastrukturë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit të realizohen plotësisht. 

Zgjatja deri në 2027 

Sipas letrës zyrtare të datës 16 prill 2025, dërguar Ministrit të Financave, Petrit Malaj, nga Drejtuesja e BERZH-it për Shqipërinë, Ekaterina Solovova, Banka ka miratuar zgjatjen e Datës së Disponueshmërisë së Grantit deri më 27 dhjetor 2027. 

Ky hap vjen në përgjigje të kërkesës së Qeverisë Shqiptare dhe reflekton nevojën për më shumë kohë operacionale për zbatimin e projekteve. Grantit origjinal, i miratuar me datë 12.11.2020, i shtohet kështu një tjetër dy vjeçar për të realizuar objektivat e tij. 

Fokusi: Infrastruktura dhe turizmi 

Programi, në zbatim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), ka si qëllim kryesor përmirësimin e infrastrukturës në zonat me potencial të lartë turistik. Kjo përfshin ndërhyrje në rrugë, shërbime publike dhe objekte që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e eksperiencës turistike, shkruan rtsh.al. 

Zgjatja e afatit është një lajm i mirëpritur që garanton zbatimin e suksesshëm të projektit, duke kontribuar në objektivin kombëtar për rritjen e sektorit të turizmit. BERZH shprehu në letër kënaqësinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me autoritetet shqiptare, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij projekti. 

Fokus tek katër rajone dhe qëndrueshmëria 

Programi, i menaxhuar nga BERZH dhe në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), ka si qëllim themelor rritjen e kontributit të turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm në ekonominë kombëtare. Investimet do të përqendrohen në katër zona me potencial të lartë: Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër. 

Objektivat kryesore të këtij investimi madhor janë rritja e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së ofertës turistike rajonale, rritja e aftësisë tërheqëse të vlerave kulturore, natyrore dhe sociale për turistët, si dhe Përmirësimi i zhvillimit të qëndrueshëm vendor nëpërmjet infrastrukturës prioritare.