Ballina Bota Në garën për të tërhequr mendjet më të zgjuara të botës, Kina...

Në garën për të tërhequr mendjet më të zgjuara të botës, Kina po i afrohet SHBA-së

32
0

Një numër në rritje i shkencëtarëve të shquar po largohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të punuar me kohë të plotë në Kinë. Midis tyre janë fizikantë bërthamorë nga Princeton, inxhinierë që kanë bashkëpunuar me NASA-n, neurobiologë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA, matematikanë të njohur dhe ekspertë të inteligjencës artificiale.

Sipas një analize të CNN, të paktën 85 shkencëtarë, shumë prej tyre me karriera të konsoliduara, kanë kaluar në institucionet kërkimore kineze që nga fillimi i vitit 2024, më shumë se gjysma vetëm këtë vit.

Kjo prirje, e njohur si “rrjedhje e kundërt truri”, po ngre pikëpyetje për aftësinë afatgjatë të SHBA për të tërhequr dhe mbajtur talentin shkencor ndërkombëtar, një faktor që ka qenë kyç për epërsinë teknologjike dhe shkencore amerikane që pas Luftës së Dytë Botërore.

Ekspertët shpjegojnë se largimet po ndodhin në një moment kritik, kur administrata e Presidentit Donald Trump po shtyn për shkurtimin e buxheteve kërkimore, po rrit kontrollin ndaj studiuesve të huaj dhe po e bën më të vështirë marrjen e vizave për punëtorët e specializuar ndërkombëtarë. Ndërkohë, Kina po investon më shumë se kurrë në kërkime, duke ofruar kushte të favorshme për studiuesit që vijnë nga jashtë.

Kina prej vitesh ka zhvilluar programe për të rikthyer studiuesit e saj nga jashtë, por edhe për të tërhequr studiues të huaj. Për shembull, universitetet si ai i Wuhan-it ofrojnë paga të larta dhe fonde kërkimore deri në 3 milionë juanë (mbi 400,000 dollarë) për ekspertët në fusha si inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike.

Gjithashtu, qeveria kineze ka hapur një vizë të re, të quajtur “K visa”, për të lehtësuar ardhjen e talenteve të reja nga ShBA dhe Evropa.