Ballina Sport Polemikat pas fitores së Milanit, të gjithë ish-gjyqtarët dakord: Mungonte një penallti...

Polemikat pas fitores së Milanit, të gjithë ish-gjyqtarët dakord: Mungonte një penallti për Napolin

18
0

Fitorja 2-1 e Milanit ndaj Napolit nuk ka kaluar pa polemika, sidomos për një vendim që ka sjellë shumë kontestime të lojtarëve të skuadrës kampione në fuqi. Në pjesën e parë të ndeshjes, kishte një kontakt mes Fikajo Tomorit dhe Skot MekTominej në zonën kuqezi.

Kryesori pa gjithçka por lejoi lojën të vazhdonte, ndërsa nuk kishte sinjalizim as nga VAR-i për të riparë përplasjen në fjalë. Graciano Çezani, ish-gjyqtari i njohur italian, ka sqaruar për “Mediaset” se kryesori Kifi ka gabuar në këtë rast.

“MekTominej është një kohë para Tomorit, prekja e mbrojtësit kuqezi është, dhe është e dukshme. Impakti është i fortë dhe gjyqtari ishte i pozicionuar mirë. Nuk e kuptoj pse nuk ndërhyri, por sidomos pse VAR-i nuk i tregoi këto pamje. Kjo është penallti”, tha ai për rastin në fjalë.

Edhe ish-gjyqtari Mauro Bergonzi, duke folur për “Rai 2”, ka konstatuar të njëjtin gabim në supersfidën e javës.

“Futbollisti i Milanit godet këmbën e majtë të futbollistit të të kaltërve, më saktësisht kofshën. MekTominej është një kohë para dhe Tomori është padyshim me vonesë. Kifi është shumë afër dhe mund të gjykojë më mirë intensitetin e përplasjes dhe vendos për të mos dhënë penallti. Por sipas meje, kjo është penallti”, tha ai duke bërë moviolën e ndeshjes që ktheu Milanin në kryesimin e kampionatit.