Kryeministri Edi Rama deklaroi se universitetet shqiptare po hartojnë programe të reja ndërdisiplinore për inteligjencën artificiale, sistemet dixhitale dhe nanoshkencën, me synimin për të krijuar një brez të ri novatorësh që do të çojnë përpara ekonominë, industrinë dhe qeverisjen në vend.
“Ky nuk është luks apo diçka e veçantë – është nevojë e së tashmes. Vizioni ynë është që brenda dekadës së ardhshme, çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjitë e së ardhmes ta bëjë këtë këtu, në shtëpi”, u shpreh Rama.
Ai tha se po kërkohen partneritete me universitete evropiane dhe institute kërkimore për të përafruar kurrikulat me standardet ndërkombëtare, ndërsa rezultatet e para janë “inkurajuese”.
“Ky investim ka të bëjë me krijimin e hapësirës për njerëz që mendojnë në mënyrë novatore. Dua të guxoj e të them se synojmë një brez novatorësh që do të çojë përpara industrinë, ekonominë dhe qeverisjen shqiptare. Shqipëria është e angazhuar që çdo euro e investuar në shkencë të përkthehet në përparim të prekshëm dhe mundësi për të rinjtë tanë”, theksoi Kryeministri.
Në fund, me një ton humoristik, ai shtoi: “Pres me padurim të punojmë ngushtë me Akademinë e Shkencave dhe ‘diktatorin’ e saj për t’i bërë gjërat edhe më të prekshme.”