Një raport i fundit mbi perceptimet e politikës së jashtme dhe burimet e informacionit politik në Ballkanin Perëndimor e Partneritetin Lindor tregon dallime të forta mes vendeve, ku Shqipëria shfaqet si vendi më i orientuar drejt televizionit kombëtar.
Në Shqipëri, 76% e të anketuarve (n=762) deklarojnë se përdorin televizionin kombëtar për të ndjekur zhvillimet politike. Ky është niveli më i lartë në rajon, duke reflektuar varësinë e fortë të publikut shqiptar nga TV si medium tradicional. Në të kundërt, përdorimi i televizioneve lokale (7%, n=65) dhe rajonale (15%, n=148) mbetet shumë i ulët, gjë që tregon një treg të centralizuar mediatik ku kanalet kombëtare dominojnë peizazhin.
Megjithëse televizioni ruan epërsinë, 43% e shqiptarëve (n=428) deklarojnë se informohen nga rrjetet sociale si Facebook, YouTube, Instagram, TikTok apo X (Twitter). Ky nivel është më i ulët se në vende si Gjeorgjia (66%) apo Moldavia (59%), por gjithsesi përfaqëson gati gjysmën e popullsisë dhe dëshmon rritjen e ndikimit të mediave online në konsumin politik.
Përdorimi i portaleve të internetit në Shqipëri (33%, n=329) është më i ulët se në Serbi (51%), Mal të Zi (51%) apo Bosnjë (48%), por gjithsesi përfshin rreth një të tretën e publikut. Fjala e gojës, përmes bisedave me miq dhe familjarë, zë një vend të rëndësishëm në Shqipëri: 23% (n=230) raportojnë se marrin informacion politik nga rrethi shoqëror, një shifër ndër më të lartat në rajon.
Në kontrast, burime si shtypi i shkruar (rreth 5% mesatarisht në rajon) dhe radioja kanë një prani të vogël, duke treguar rënien e tyre si burime kryesore lajmesh. Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend.
Krahasuar me rajonin, Shqipëria udhëheq për përdorimin e televizionit kombëtar (76%), shumë më lart se Ukraina (30%) apo Moldavia (37%), ndërsa sa u përket televizoneve lokale rajonale, ndryshe nga Bosnja, ku 36% përdorin TV lokal dhe 39% TV rajonal, shqiptarët i shmangin këto kanale.
Ndërkohë përdorimi i rrjeteve sociale është 43% në Shqipëri, duke u renditur mbi Bosnjën (36%) dhe Serbinë (41%), por më poshtë se Kosova (58%), Maqedonia e Veriut (57%) dhe Gjeorgjia (66%).
Ndërsa sa u përket portaleve online shqiptarët përdorin më pak portale krahasuar me Malin e Zi, Serbinë apo Bosnjën, duke mbetur më afër mesatares së rajonit./ekofin.al