Ballina Kronika Grabitja e 4.6 mln eurove në Rinas, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin...

Grabitja e 4.6 mln eurove në Rinas, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e grupit kriminal, lë në fuqi dënimin me 122 vite burg për 7 të përfshirët

15
0

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e anëtarëve të grupit kriminal të përfshirë në grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas në prill të vitit 2019. Gjykata la në fuqi dënimin me 122 vite burg nga Apeli i GJKKO për 7 të përfshirët.

Klement Çala u dënua me 20 vite burg. Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli dhe Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, u dënuan me nga 17 vite burg secili. Gjykimi për Talo Çelën vijoi i ndarë, për shkak se është në arrati.  Ndërsa për Admir Muratin, i cilësuar si “koka” e këtij grupi u pushuan hetimet për shkak se ndërroi jetë.

Anëtarë e grupit kriminal kishin planifikuar vjedhjen me armë të shumave monetare, shumë kohë para se të realizohej duke siguruar dhe përshtatur automjetin me të cilin realizuan vjedhjen, automjetet e tjera me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes, siguruan mjetet e nevojshme për hapjen e dyerve të emergjencës së perimetrit të aeroportit, armët luftarake, studiuan lëvizjet e mjeteve monetare në brendësi të aeroportit duke e planifikuar me detaje kryerjen e vjedhjes.