Emigranti shqiptar në Greqi, Pano Ruçi që humbi djalin në aksidentin tragjik prej 17 ditësh po zhvillon një grevë urie, teksa refuzon të kryejë analizat laboratorike për të parë gjendjen shëndetësore.
Sipas mediave greke, shërbimet e urgjencës janë në gatishmëri dhe ekipet e shpëtimit po monitorojnë gjendjen e tij, por ai refuzon t’i nënshtrohet testeve laboratorike.
“Që nga fillimi i grevës së urisë në Syntagma, EKAB ka siguruar gatishmërinë e saj operacionale me një prani të vazhdueshme të ekipeve të ambulancës ose motoçikletave të Ekipit të Ndërhyrjes së Menjëhershme, siç është parashikuar edhe për qendrën e Athinës.
Shpëtuesit e EKAB monitorojnë gjendjen shëndetësore të grevistit të urisë çdo ditë dhe në intervale të rregullta duke kontrolluar shenjat jetësore dhe pamjen klinike, duke theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta mjekësore dhe laboratorike për të siguruar shëndetin e tij.
Megjithatë, deri më sot ai nuk ka pranuar t’i nënshtrohet testeve të tilla, gjë që e bën edhe më të vështirë monitorimin dhe përgatitjen për transferimin e tij të menjëhershëm dhe të sigurt në spital, nëse kjo bëhet e nevojshme.