Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ra me 1,3% në muajin shtator, sipas anketimit më të fundit të BSH. Megjithatë, niveli aktual i TNE-së mbetet 7% mbi mesataren afatgjatë.
Rënia e TNE-së këtë muaj u ndikua kryesisht nga ulja e besimit në sektorin e tregtisë dhe industrisë. Nga ana tjetër, besimi në sektorët e shërbimeve dhe ai i konsumatorëve shënuan rritje. Besimi në sektorin e ndërtimit mbeti i pandryshuar, krahasuar me nivelin e muajit të kaluar.
Treguesi i Besimit të Industrisë (TBI) ra me 6,3%. Rënia e TBI-së u ndikua nga rënia në të tre përbërësit e tij: vlerësimi i bizneseve për prodhimin industrial aktual, vlerësimi për kontratat porositëse të bizneseve totale dhe ato nga eksportet.
Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) nuk pësoi ndryshime krahasuar me muajin e kaluar. Aktualisht, niveli i tij është 12,1% mbi mesataren historike. Nga njëra anë, vlerësimi i bizneseve për aktivitetin e ndërtimit shënoi një rritje të lehtë, ndërsa nga ana tjetër, porositë aktuale të biznesit u vlerësuan me rënie.
Treguesi i Besimit në Shërbime (TBSH) u rrit me 2% në muajin shtator, duke qëndruar ndjeshëm mbi mesataren historike (+17,5%). Përmirësimi i TBSH-së u ndikua nga vlerësimet pozitive të bizneseve për nivelin e kërkesës. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen u rishikuan lehtësisht për poshtë.
Treguesi i Besimit në Tregti (TBT) ra me 9,7% në shtator, duke ndërprerë prirjen rritëse të dy muajve të fundit. Megjithatë, niveli i TBT-së mbetet rreth 4% mbi mesataren historike. Rënia e këtij treguesi u ndikua kryesisht nga vlerësimet në ulje për ecurinë aktuale të biznesit, ndërsa në masë më të vogël ndikuan negativisht pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen gjithashtu shënuan rënie.
Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) u rrit me 0,8% në shtator. Niveli i tij qëndron 1,4% mbi mesataren historike. Ndërsa rritja këtë muaj u ndikua kryesisht nga komponentët e blerjeve të mëdha, aktuale dhe të pritura.
Të dhënat e vrojtimit të publikuar nga BSH-ja mbi bazën e pyetjeve mbi normën e shfrytëzimit të kapaciteteve dhe gjendjen financiare kanë frekuencë tremujore. Ato përfshihen në pyetësorët e bizneseve në muajt mars, qershor, shtator dhe dhjetor.