Ballina Kosovë Kurti kujton protestën studentore të 1 tetorit 1997: Një nga momentet më...

Kurti kujton protestën studentore të 1 tetorit 1997: Një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës paqësore

36
0

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sot 28-vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit 1997, të organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, kundër shtypjes dhe segregimit serb në Kosovë.

Ai tha se mijëra studentë, profesorë dhe qytetarë nga e gjithë Kosova iu bashkuan demonstratës paqësore, e cila u shtyp me dhunë nga policia serbe, por pamjet e saj u bënë lajm botëror.

Sipas Kurtit, kjo protestë theu frikën nga represioni serb, shënoi një kthesë në rezistencën paqësore dhe i parapriu luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mbetur një nga momentet më të rëndësishme të historisë së çlirimit.

Postimi i plotë:

Si sot, 28 vite më parë, mijëra njerëz nga e tërë Kosova, u bënë bashkë në një nga demostrimet më masive të vullnetit politik të shqiptarëve në historinë moderne të Kosovës. Atë ditë, më 1 tetor 1997, pas gjashtë vitesh të kaluara pa protesta dhe demostrata, mijëra qytetarë të Kosovës iu bashkuan protestës paqësore të thirrur nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP), kundër shtypjes, dhunës dhe segregimit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Të veshur me këmisha të bardha me stemën e Universitetit të Prishtinës në to, mijëra studentë dhe profesorë universitarë bashkë me qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, me parulla në duar me thirrje për t’u kthyer në hapësirat e fakulteteve të UP-së, kundër shkeljeve të lirive dhe dhunimit të të drejtave të njeriut mbi baza etnike, u nisën nga lagjja Velania për në kampusin e UP-së. Por vetëm disa qindra metra më poshtë, policia dhe punëtorët e sigurimit të fshehtë të Serbisë, ndërhynë dhunshëm ndaj protestuesve paqësorë, duke i rrahur dhe arrestuar shumë prej tyre. Përmes objektivave të kamerave të dhjetëra mediave ndërkombëtare, pamjet e protestës së 1 tetorit 1997, e kthyen Kosovën në një top lajm në mediat botërore. Me rektorin Ejup Statovci në ballë, krah për krah me shokët dhe shoqet studentë nga të gjitha fakultetet, atë ditë u kthyem në një trupë politike të admirueshme dhe të mbështetur nga pothuajse e tërë Kosova.

paqësore e popullit të Kosovës, e qendërzuar rreth organizimeve të lëvizjes studentore të studentëve të Universitetit të Prishtinës, i tregoi regjimit kriminal të Serbisë në Jugosllavi dhe botës demokratike në Perëndim, që shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur në rezistencën e tyre për jetësimin e vullnetit të tyre politik: për liri dhe për shtetndërtim.

Që nga viti 1991, regjimi i apartheidit i Serbisë që ishte instaluar në Kosovë mes viteve 1989 – 1991, i kishte përjashtuar studentët dhe profesorët nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, siç kishte bërë edhe me nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të mesme. Deri në shpërthimin e luftës në Kosovë, rreth 3000 shtëpi dhe lokale private u adaptuan në ambiente të improvizuara për zhvillimin e sistemit arsimor, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme. Protesta e 1 tetorit 1997, e theu dhe shembi figurën e mitizuar të “policit serb” të sfidueshëm siç e prishi edhe pasivitetin e tejzgjatur të rezistencës së viteve të fundit.

Protestat studentore të kthyera në demostrata popullore, i paraprinë dhe iu bashkangjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.

Duke i kujtuar shokët dhe shoqet studentë, profesorët e nderuar të Universitetit të Prishtinës dhe mijëra e mijëra qytetarë që patën vetëdijen dhe guximin për t’iu bashkuar lëvizjes studentore të UP-së në atë etapë aq të rëndësishme të rrugës së popullit të Kosovës drejt çlirimit të saj.