Një sherr masiv është regjistruar ditën e sotme në qytetin e Bilishtit, me pasojë plagosjen e dy personave dhe shoqërimin e disa të tjerëve në komisariatin e Devollit. Burime të besueshme bëjnë me dije se konflikti ka nisur për prishje pazaresh të lidhura me aktivitete të paligjshme, ku dyshohet se janë të përfshirë personat që u konfliktuan.
Ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së qytetit, ku shtetasi Guri Mazelliu, 39 vjeç, është përballur me Trajan Çelikun – një emër i njohur për policinë si person problematik – dhe dy persona të tjerë. Fillimisht, palët janë konfliktuar verbalisht, por situata ka degjeneruar në dhunë fizike. Sipas të dhënave, Çeliku së bashku me shokët e tij ka sulmuar Mazelliun me sende të forta, duke i shkaktuar plagë.
Pasi është goditur, 39-vjeçari ka reaguar duke nxjerrë një thikë dhe ka plagosur njërin prej agresorëve. Të dyja palët kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa më pas janë shoqëruar në komisariatin e Devollit për t’u marrë në pyetje.
Në pamjet filmike të siguruara nga vendngjarja, shihet momenti kur Trajan Çeliku dhe dy shokët e tij i bëjnë pritë Guri Mazelliut në afërsi të qendrës së Bilishtit. Ata mbajnë në duar shkopinj bejsbolli dhe sulen drejt automjetit të 39-vjeçarit, duke e goditur për herë të dytë gjatë ditës. Mësohet se mes Mazelliut dhe Çelikut ka pasur edhe më herët përplasje të përsëritura, të cilat këtë herë kanë përfunduar me përdorim armësh të ftohta. Policia po heton për të dokumentuar shkaqet reale të konfliktit dhe lidhjet e mundshme me aktivitete të jashtëligjshme.