Diplomati James Peter Covey gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të enjten mohoi se ka parë ndonjë gjë që do ta bënte të besojë ose mendojë që Hashim Thaçi po përpiqej që të merrte pushtetin në përmes apo duke kryer krime kundër kundërshtarëve të tij, qoftë personalisht ose me anë të pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që kryenin këto krime në interes të tij.
Covey tha se shumë shpejt kanë arritur në vlerësimet se ai nuk kishte autoritet të tillë personal, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jo, dhe mendoj që shumë shpejt kemi arritë në vlerësime se ai nuk e kishte autoritetin personal për të bërë që dikush tjetër të bënte një gjë të tillë. Për më tepër, unë dhe ne arritëm në këtë përfundim se ai dinte se nuk e kishte këtë pushtet dhe këtë fuqi”, tha Covey.
Për Thaçin, Covey tha se e krijoi karrierën hap pas hapi, si dhe duke punuar me UNMIK-un dhe institucionet ndërkombëtare.
“Pra, ai filloi këtë karrierë duke zbuluar hap pas hapi se çfarë mund të bënte për ta krijuar rrugëtimin e tij politik. Ai ishte në të njëjtën kohë, nuk na përket neve nëse ai dëshironte me gjithë mend më të mirën për Kosovën, apo se si mund të realizoheshin ambiciet e tij në mënyrën më të mirë. Ai e gjeti vetë mënyrën për ta bërë këtë dhe ishte detyra jonë që ta ndihmonim ne në këtë rrugëtim. Pra, duke punuar me UNMIK-un, me institucionet. Kjo ka shërbyer edhe interesat e tij. Ky është angazhimi më i mirë që kërkohet nga një politikan”, tha ai.
Dëshmitari shtoi se këto veprime po i shërbenin edhe interesave të tij personale. Tha se ky nuk ishte vlerësim duke qenë naiv, por ishte vlerësim i qartë.
Me kaq përfundoi pyetjet avokati Luka Mishetiq për këtë dëshmitar dhe seanca kaloi në pushim për 10 minuta.