Telegraph shkruan që në hyrje të artikullit se si ‘Emmanuel Macron dhe udhëheqësit e Shqipërisë dhe Azerbajxhanit u kapën duke tallur Donlad Trump, pasi ai i ngatërroi Armeninë dhe Shqipërinë’.
Presidenti amerikan i ka ngatërruar vazhdimisht të dy vendet, ndërsa diskuton përpjekjet e tij për të zgjidhur tensionet e thella midis Armenisë dhe Azerbajxhanit – dhe kjo është bërë një burim zbavitjeje midis liderëve botërorë.
Edi Rama, kryeministri shqiptar, u filmua duke ngacmuar Macron dhe Ilham Aliyev, presidentin e Azerbajxhanit, për ngatërresën në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen të enjten.
Me dorën mbi shpatullën e zotit Macron, ai u tall: “Duhet të na kërkoni falje… sepse nuk na përgëzuat për marrëveshjen e paqes, që Presidenti Trump bëri midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.”
Z. Aliyev më pas filloi të qeshte, ndërsa z. Macron buzëqeshi dhe tha: “Më vjen keq për këtë.”
Presidenti amerikan ndërmjetësoi një marrëveshje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë në gusht, me të dy udhëheqësit që u zotuan të respektojnë integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe zyrtarisht i dhanë fund konfliktit prej gati katër dekadash.
Megjithatë, që atëherë, zoti Trump ka vazhduar t’i ngatërrojë të dy kombet, duke filluar me “A”.
Gjatë një interviste me Fox News muajin e kaluar, zoti Trump tha: “Unë zgjidha një luftë që ishte e pazgjidhshme. Azerbajxhani dhe Shqipëria, po vazhdonin për shumë, shumë vite, kisha kryeministrat dhe presidentët në zyrën time.”
Në një rast tjetër, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sir Keir Starmer, presidenti amerikan i çoi gabimet e tij në emërtim edhe më tej, duke e quajtur Azerbajxhanin Aber-baijan. “Ne e zgjidhëm çështjen e Aber-baijanit dhe Shqipërisë”, tha ai.
Trump u ka thënë vazhdimisht turmave të tij se ai është paqebërësi i botës dhe shpreson që përfundimi i konflikteve të tilla do t’i sigurojë atij Çmimin Nobel për Paqen.
Z. Macron ka pasur një marrëdhënie disi të trazuar me z. Tump. Herën e fundit që u kap duke tallur z. Trump, presidenti thuhet se e quajti atë “të shkurtër” dhe “një njeri të bezdisshëm”.
Z. Macron, Justin Trudeau, Boris Johnson dhe Mark Rutte u kapën në video duke thashetheme rreth vonesës së zotit Trump në një pritje të NATO-s në vitin 2019, duke bërë që zoti Trump të shfrynte tërbimin e tij ndaj presidentit francez në një dhomë plot me ambasadorë të OKB-së në një takim në Shtëpinë e Bardhë.
Muajin e kaluar, presidenti francez i bëri thirrje zotit Trump për ndihmë kur ai mbeti I bllokuar në rrugët e Nju Jorkut, pasi policia bllokoi rrugët për të hapur një rrugë për homologun e tij amerikan.
Thirrja në dukje gazmore midis dy aleatëve erdhi në një moment të tensionuar në marrëdhëniet Francë-SHBA, pasi zoti Macron sfidoi zotin Trump, në mënyrë që të njihte shtetësinë palestineze.
Z. Trump e ka dënuar më parë njohjen si një “shpërblim për Hamasin”. Kur z. Macron njoftoi për herë të parë qëllimin e tij për ta bërë këtë në korrik, z. Trump e hodhi poshtë atë si një marifet performues.
“Ai është një djalë i ndryshëm. Është në rregull, është lojtar ekipi. Por ajo që thotë nuk ka rëndësi, nuk do të ndryshojë asgjë”, tha ai për z. Macron.
Udhëheqësi francez gjithashtu nxitoi të dënonte sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, si “të paligjshme” në qershor./ The Telegraph.