Ballina Lifestyle Jane Goodall, studiuesja pionere e shimpanzeve vdes në moshën 91-vjeçare

Jane Goodall, studiuesja pionere e shimpanzeve vdes në moshën 91-vjeçare

35
0

Jane Goodall, ambientalistja e njohur për kërkimin e saj të jashtëzakonshëm në terren mbi shimpanzetë dhe avokimin mjedisor në të gjithë botën vdiq sot në moshën 91-vjeçare, sipas AP.

Ajo konsiderohej ekspertja më e shquar në botë për shimpanzetë, pasi kishte studiuar ndërveprimet shoqërore dhe familjare të shimpanzeve të egra për më shumë se 60 vjet.

Instituti “Jane Goodall” njoftoi sot vdekjen e primatologes në një postim në Instagram.

Sipas institutit me seli në Uashington, Goodall vdiq nga shkaqe natyrore ndërsa ishte në Kaliforni në një turne eventesh, në SHBA.

Zbulimet e saj revolucionarizuan shkencën dhe ajo ishte një avokate e palodhur për mbrojtjen dhe restaurimin e botës natyrore.

Ndërsa jetonte midis shimpanzeve në Afrikë disa dekada më parë, Goodall dokumentoi kafshët duke përdorur mjete dhe duke bërë aktivitete të tjera – duke zbuluar personalitetet e tyre të dallueshme.

Vëzhgimet e saj dhe paraqitjet e saj të mëvonshme në revista dhe dokumentarë në vitet 1960 transformuan mënyrën se si bota i perceptonte – jo vetëm qëniet më të afërta biologjikë të njerëzve, por edhe kompleksitetin emocional dhe shoqëror të të gjitha kafshëve.

“Atje jashtë në natyrë, kur je vetëm, mund të bëhesh pjesë e natyrës dhe njerëzimi yt nuk të pengon”, tha Goodall në vitin 2021.

Ajo kishte planifikuar të takohej sot me studentë dhe mësues – për të nisur mbjelljen e 5,000 pemëve rreth zonave të djegura nga zjarret në zonën e Los Anxhelesit.

Jeta mes shimpanzeve

Ndërsa studionte për herë të parë shimpanzet në Tanzani në fillim të viteve 1960, Goodall ishte e njohur për qasjen e saj jokonvencionale. Ajo nuk i vëzhgonte thjesht nga larg, por zhytej në çdo aspekt të jetës së tyre.

Ajo i ushqente dhe u vendoste emra në vend të numrave, diçka për të cilën ajo u kundërshtua nga disa shkencëtarë.

Ajo u shfaq për herë të parë në kopertinën e “National Geographic” në vitin 1963 dhe menjëherë pas kësaj në një dokumentar të njohur.

Një koleksion fotosh të Goodall në terren e ndihmoi atë dhe disa nga shimpanzet të bëheshin të famshme.

Një imazh ikonik e tregonte atë të përkulur përballë shimpanzesë së vogël të quajtur Flint.

Goodall është nderuar me medalje të larta civile nga një numër vendesh, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Japoninë dhe Tanzaninë.

Ajo u vlerësua me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2025 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden, dhe fitoi Çmimin prestigjioz “Templeton” në vitin 2021.

Goodall u emërua gjithashtu Lajmëtare e Paqes e Kombeve të Bashkuara dhe botoi libra të shumtë, përfshirë autobiografinë më të shitur “Arsye për Shpresë”.

Roli i Goodall si aktiviste

Puna e saj u zhvendos në avokim më global pasi ajo pa një film shqetësues me eksperimente mbi kafshët laboratorike në një konferencë në vitin 1986.

“E dija që duhej të bëja diçka”, tha ajo në vitin 1997.

Kur pandemia e COVID-19 u shfaq në vitin 2020 dhe ndaloi aktivitetet e saj, Goodall nisi të transmetonte podkaste nga shtëpia e saj e fëmijërisë në Angli.

Përmes dhjetëra episodeve të “Jane Goodall Hopecast”, ajo transmetoi diskutimet e saj me të ftuar, përfshirë senatorin amerikan Cory Booker, autoren Margaret Atwood dhe biologen detare, Ayana Elizabeth Johnson.

Në vitet e mëvonshme, ajo kundërshtoi taktikat agresive nga aktivistët e klimës, duke thënë se ato mund të kishin efekt të kundërt.

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2024, ajo i nxiti votuesit të zgjidhnin kandidatë të përkushtuar për të mbrojtur botën natyrore.

Goodall gjithashtu ndërtoi një prani të fortë në mediat sociale, duke këshilluar miliona ndjekës rreth nevojës për t’i dhënë fund bujqësisë industriale dhe se si të shmangnin paralizimin nga kriza klimatike.

Këshilla e saj ishte: “Përqendrohuni në të tashmen dhe bëni zgjedhje sot, ndikimi i të cilave do të rritet me kalimin e kohës”.