Ballina Politika PD denoncon skandalin e radhës të Belinda Ballukut: Tenderi për urën e...

PD denoncon skandalin e radhës të Belinda Ballukut: Tenderi për urën e Milotit iu dha klientëve të qeverisë

33
0

Deputetja Elda Hoti, në një deklaratë për mediat, denoncoi sot një tjetër aferë korruptive të ministres Belinda Balluku, që godet drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve lezhjanë, nga Miloti deri në Reps.

Ajo theksoi se kjo nuk është thjesht një tjetër shkelje ligjore, por një dëshmi e qartë e mënyrës se si qeveria dhe klientelizmi politik po kapin çdo tender publik, duke favorizuar kompanitë e lidhura me pushtetin dhe duke penalizuar qytetarët e ndershëm që paguajnë taksa.

Sipas Hotit, tenderi i fundit, me objekt “Ndërhyrje emergjente për mbrojtjen e themeleve në urën e Milotit” dhe një fond limit prej 1 milion euro, u zhvillua në mënyrë të dyshimtë, me skualifikime të ofertave më konkurruese, përfshirë ofertën më të ulët, që do të kishte kursyer qindra mijëra euro për shtetin.

Deputetja Hoti e cilësoi këtë si një skemë të mirëmenduar, që tregon se konkurrenca dhe ligji janë shkelur qëllimisht për të përfituar klientët e qeverisë.

Deklarata e plotë për media:

Si deputete e Lezhës sot do të bëj publike një tjetër aferë korruptive të Belinda Ballukut në qarkun tim, në xhepat e taksapguesve lezhjanë nga Miloti deri në Reps.

Një tjetër vjedhje dhe allishverish që rëndon mbi xhepat e qytetarëve. Një tjetër tender i dyshimtë, i paracaktuar, pjesë e aferave dhe interesave klienteliste. Një tjetër dëshmi e fytyrës dhe dorës kleptomane të kësaj qeverie.

E kam fjalën për tenderin me objekt:

‘Ndërhyrje emergjente për mbrojtjen e themeleve në urën e Milotit’, me një fond limit prej 1 milion euro.

Në këtë garë morën pjesë 6 kompani, por në mënyrë të dyshimtë, në mungesë konkurrence dhe me flamur të kuq u skualifikuan ofertat më të favorshme për shtetin, përfshirë edhe atë me çmimin më të ulët. A thua se ishte rastësi?

Jo! Ky ishte një plan i mirëmenduar, një skemë klasike për të favorizuar klientët e qeverisë. Fitues u shpall bashkimi i operatorëve ‘JUNIK’ shpk & ‘JOOS & KRASNIQI – BAZE’, me një ofertë prej 867 mijë euro, plot 233 mijë euro më shumë se oferta më e lirë që mund të ishte përzgjedhur.

Kush është ‘Junik’ shpk?

Një kompani në pronësi të Ded Malutajt, një emër tashmë i njohur për organet e drejtësisë. Ai është shpallur në kërkim në maj të vitit 2022, pasi u akuzua për mashtrim ndaj Prokurorisë së Elbasanit, me një dëm prej 35 milionë lekësh. Ai, së bashku me të tjerë, ka instaluar sisteme të dëmtuara kondicionimi duke shkelur kriteret e tenderit dhe mashtruar një institucion të drejtësisë.

Por ky fakt, që do duhej ta kishte përjashtuar automatikisht nga çdo garë publike, nuk e ka ndalur Gentian Gjylin, drejtuesin e ARRSH-së, për ta shpallur sërish fitues.

Kjo nuk është vetëm një shkelje e ligjit, por një poshtërim për çdo qytetar shqiptar, që punon dhe paguan taksa të cilat shkojnë për klientë të pushtetit.

Kjo është prova që konkurrenca është vrarë, që ligji nuk vlen, dhe që narko-regjimi vazhdon abuzimin me fondet publike, për interesa klienteliste.

Faleminderit!