Policia italiane ka sekuestruar 21 vepra arti të dyshuara si falsifikime, që i atribuoheshin artistit surrealist Salvador Dalí, nga një ekspozitë, njoftuan sot forcat e karabinierisë.
Veprat ishin ekspozuar vetëm prej disa ditësh në ekspozitën “Dalí – Between Art and Myth” në qytetin verior italian të Parmës, sipas autoriteteve.
Në deklaratën zyrtare thuhet se objektet e sekuestruara përfshijnë tapiceri, vizatime, grafika dhe vepra të tjera arti.
Të njëjtat punime ishin ekspozuar më parë në një muze në Romë me të njëjtin titull. ”Fondacioni Gala-Salvador Dalí”, i cili menaxhon dhe mbron të drejtat e autorit të artistit në mbarë botën, kishte shprehur dyshime për autenticitetin e tyre.
Prokuroria e Romës urdhëroi sekuestrimin e veprave pas një hetimi.
Dalí, i lindur në vitin 1904 në Figueres të Spanjës, vdiq në vitin 1989 në moshën 84-vjeç.
Ai ishte i njohur botërisht për pikturat e tij surrealiste, por edhe për skulpturat, filmat dhe format e tjera të artit.