Ballina Opinion ‘Shakaxhiu i integrimit’, si shkaktari i divergjencës ekonomike me Bashkimin Europian

‘Shakaxhiu i integrimit’, si shkaktari i divergjencës ekonomike me Bashkimin Europian

32
0

Nga Ilir Meta 

Raporti i Konvergjencës ekonomike për Ballkanin Perëndimor për 2025, i financuar dhe konfirmuar nga Presidenca polake e BE dhe OECD, na jep skanimin e vërtetë se ku ndodhet procesi i integrimit të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor krahasuar me mesataren e vendeve të BE.

Raporti bazohet në analizën e 35 treguesve konkretë në 5 fusha të ndryshme, që janë infrastruktura dhe lidhshmëria, aftësitë e burimeve njerëzore, klima e biznesit, transformimi digjital dhe ekonomia e gjelbër.

Ky është raporti i 3-të, i realizuar pas atij të viteve 2014-2016, si dhe 2017-2019.

Për fat të keq Shqipëria “shkëlqen” me përkeqësimin tepër serioz të treguesve të saj, krahasuar me 10 vite më parë, veçanërisht përsa i takon klimës së biznesit ku jemi të fundit në rajon.

Çuditërisht jemi të fundit dhe lidhur me treguesit e infrastrukturës dhe lidhshmërisë, që është vendimtar për rritjen ekonomike të vendit, si edhe për integrimin infrastrukturor me vendet e rajonit dhe ato të BE.

Themi “çuditërisht” pasi dihet që edhe pse investimet publike janë tepër të larta, rezultatet e tyre flasin për përkeqësim të situatës në këtë sektor.

Kjo shpjegohet me korrupsionin e pafre dhe kostot e paimagjinueshme me të cilat realizohen investimet publike.

Shumë serioze është edhe situata për treguesit e aftësive njerëzore që provon situatën e shkatërruar në sektorin e arsimit dhe në kualifikimin e fuqisë punëtore dhe produktivitetin e saj.

Edhe treguesit e transformimi digjital, ku Shqipëria renditet e parafundit në rajon, provojnë se sa demagogjike dhe i pabazë është programi qeverisës i mazhorancës, ku pavarësisht këtyre defekteve dhe performancës së dobët e ka trajtuar atë si shtyllë kryesore të zhvillimit të vendit.

Ndërsa flitet për hapje kapitujsh, në fakt largohemi nga standardet bazë të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe në fakt shifrat flasin vetë.