Pas deklaratave ironike të Ramës për Donald Trump dhe shpërndarjes në media të një fotografie të kryeministrit me ish-agjentin e FBI-së, Sali Berisha publikoi një video-kronikë mbi arrestimin e Charles McGonigal.
Videoja përmbledh kronika dhe lajme të publikuara në Shtetet e Bashkuara për dosjen “McGonigal”, ku spikat edhe artikulli i New York Times që përshkruan me imtësi ngjarjet dhe akuzat se McGonigal u korruptua për të goditur kundërshtarin politik Lulzim Basha.
Në videon e publikuar nga Berisha shfaqet edhe titulli: “Ekskluzive – Dosja / Edi Rama ka korruptuar zyrtarin e FBI-së, McGonigal, për të punuar kundër Lulzim Bashës.”
Materiali rikthen në qendër të vëmendjes një skandal që, sipas kritikëve, ka mbetur i pahetuar nga drejtësia shqiptare: përfshirjen e ish-agjentit të FBI-së në orkestrimin e një mashtrimi publik ndaj Bashës, çështja e të ashtuquajturave “rubla ruse”, e cila u zhbë pas arrestimit të McGonigal. Njëkohësisht, videoja nënvizon se, pavarësisht përpjekjeve të Berishës për të sulmuar Bashën me të njëjtën linjë retorike si Rama (kujtohet komisioni i dështuar “Mandia” për hetimin e dosjes së rreme të “rublave ruse”), fokusi kryesor i çështjes mbetet te përgjegjësitë politike dhe ligjore që rëndojnë mbi Ramën.
Berisha mund të jetë penduar për keqpërdorimin politik të dosjes “McGonigal”, pasi përpjekja për ta përvetësuar sulmin ndaj Bashës si sulm ndaj vetes dobësonte peshën penale dhe politike të akuzave që prekin Ramën.
Ngjarjet e fundit po vendosin pikat mbi i: çështja është rikthyer sot në vëmendjen publike, duke treguar brishtësinë e pushtetit në Shqipëri, sidomos kur dosja amerikane që prek Ramën perceptohet si një minë me sahat në duart e administratës Trump.
Interesante është se fotografia u publikua nga George Papadopoulos, ish-këshilltar për politikën e jashtme në fushatën presidenciale të vitit 2016 të Trump. Ai reagoi pas batutave të Ramës në samitin e djeshëm, ku kryeministri u tall me ngatërrimin e bërë nga Trump mes Shqipërisë dhe Armenisë.
“Charles McGonigal është fotografuar këtu me kryeministrin shqiptar teksa pranonte ryshfete. Ai, njëkohësisht, drejtonte hetimin ‘Crossfire Hurricane’ me Comey. Tani është në burg. A do të rrëzohet edhe ai?” — shkruan Papadopoulos, duke iu referuar Ramës.