Ballina Kulturë Boshnjaku: Festivali i Këngës është i gjallë, qëllimi është të sjellim vlera

Boshnjaku: Festivali i Këngës është i gjallë, qëllimi është të sjellim vlera

32
0

Drejtori artistik i Festivalit të Këngës në RTK, Florent Boshnjaku një muaj para nisjes së edicionit të tretë, ka ndarë detaje nga organizimi i sivjetëm. Ai ka tha se qëllimi kryesor sërish mbetet i njëjtë: të qenit platformë për krijimtari artistike të mirëfilltë.

“Qëllimi i Festivalit të Këngës, jo vetëm te ne, por edhe në Tiranë e kudo në botë, është të sjellim vlera sa më të mëdha. Sidomos në një kohë të tregut muzikor, mos ta quaj komercial, por që funksionon çdo ditë. Kështuqë festivali e ka për detyrë të mundësojë dhe të balancojë pjesën artistike, të shfaqë diçka të bukur për tregun shqiptar”, ka thënë ai për funksionin edukues të ngjarjes.

Në intervistën e dhënë për RTSH-në, ai ka thënë se janë në përgatitje të një programi të larmishëm për shikuesit e transmetuesit publik të Kosovës.

“Edhe sivjet do të kemi emra të mirë, që do të jenë emra të mrekullueshëm që do të jenë pjesë e shfaqjes së Festivalit. Gjithsesi qendra dhe fokusi ynë janë 20 garuesit, me shpresën që Festivalit të Këngës në RTK do t’i jepet mundësia që këngën fituese ta dërgojë në ‘Euro Song”, ka thënë ai.

Sipas tij, publiku ka filluar ta mirëpres këtë festival, i cili ka ekzistuar shumë vite më parë në një format të tillë, por që ka pasur shkëputje për arsye që tashmë dihen.

“Padyshim që secili artist apo kushdo që merret me krijimtari muzikore, është shumë i lumtur që Festivali i Këngës tanimë është i gjallë. Po e quaj të gjallë sepse ka qenë një periudhë me të vërtetë e vështirë të cilën e kemi kaluar”, ka deklaruar Boshnjaku.

Ai tutje ka treguar se sivjet interesimi për garë ka qenë më i madh. Përderisa vitin e parë të organizimit kanë garuar 18 këngë dhe të dytin 16, sivjet janë 20 këngë të cilat synojnë çmimet e Festivalit.

“Në qoftë se e krahasojmë me vitin e parë dhe të dytë, sivjet kemi dyfishin e këngëve që kanë konkurruar. Kjo është një shenjë jashtëzakonisht e mirë sepse ky është qëllimi i festivalit, të ketë prurje e krijimtari sa më të mirë”, ka nënvizuar Boshnjaku.