Ballina Aktualitet Humbi për 1 votë/ Llagami kërkon pezullimin e vendimit të emërimit të...

Humbi për 1 votë/ Llagami kërkon pezullimin e vendimit të emërimit të anëtarit në Kushtetuese! Padi në ‘Administrative’

27
0

Ish-drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami kërkon të pezullohet vendimi për emërimin e anëtarit në Gjykatën Kushtetuese.

Gazetari Elton Qyno mëson se Llagami i ka dorëzuar sot Gjykatës Administrative të shkallës së parë të Tiranës kërkesën me objekt:  Marrja e masës së sigurimit të padisë “Pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nr. 2, datë 30.09.2025, si dhe procedurave deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.”

Kërkesa, të cilën Syri.net e disponon është bazuar në: Nenet 15, 16, 17, 28, 29 e vijues të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar dhe mban datën 3 tetor 2025.

Image

Dyshimet

Naureda Llagami ka ngritur dyshime te vendimmarrja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, në lidhje me votimin për përzgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, që do të zëvendësojë Holta Zaçajn. Ish-drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i kërkoi dje Gjykatës së Lartë që t`i vendos në dispozicion dosjen e plotë me të gjithë materialet, përfshi regjistrimet audio dhe procesverbalet, e mbledhjes së datës 30 shtator ku u votua për përzgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese që do të zëvendësoje Holta Zaçajn.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e 30 shtatorit?

Në mbledhjen e datës 30 shtator, Llagami mori 8 vota, Asim Vokshi 6 vota dhe Florian Ballhysa asnjë votë, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Ish-drejtuesja e KLGJ, nuk arriti të shpallej fituese për në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk mori 3/5 e votave, për shkak të shpalljes së pavlefshme të votës së një prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Dhe duket se pikërisht vota e pavlefshme ka bërë që Naureda Llagami të ketë dyshime te vendimmarrja e Gjykatës së Lartë, e cila në mungesë të shpalljes së një fituesi nga procesi i votimit, emëroi si gjyqtar të kushtetueses Asim Vokshin, pasi kishte dalë i pari nga pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Sipas burimeve, Llagami pretendon se vota e shpallur e pavlefshme i përkiste asaj, dhe se nuk ka marrë 8 vota, por 9, pra 3 më shumë sesa kandidati Vokshi që u shpall fitues me pikëzimin, e kjo votë do t’i jepte asaj mandatin si anëtare e gjykatës.

Llagami pretendon se në fletën e votimiti shte shenuar dy herë emri i saj, por u shpall e pavlefshme qëllimisht për të ndryshuar rezultatin. Nëse kjo votë do të ishte lexuar siç duhet, sipas Llagamit, ajo të kishte 9 vota, pra 3/5 e votave, dhe do të ishte ajo gjyqtarja e re e Kushtetues dhe jo Vokshi, i cili u zgjodh si i rendituri më lart në pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.