Ballina Europë Italia përballet sot me grevë të përgjithshme të transportit dhe shërbimeve publike

Italia përballet sot me grevë të përgjithshme të transportit dhe shërbimeve publike

27
0

Sindikatat italiane kanë shpallur një grevë kombëtare të përgjithshme të premten, më 3 tetor, në shenjë proteste pas ndërhyrjes së Izraelit ndaj një flotiljeje që transportonte ndihma humanitare drejt Rripit të Gazës.

Grevën e ka thirrur sindikata më e madhe italiane, CGIL, si edhe USB dhe sindikata të tjera më të vogla, në mbështetje të Global Sumud Flotilla.

Megjithatë, autoriteti italian i mbikëqyrjes së grevave paralajmëroi se greva është e paligjshme pasi ka shkelur afatin e njoftimit të detyrueshëm.

Sipas CGIL, veprimi sindikal do të prekë sektorin publik dhe privat, duke shkaktuar ndërprerje në shkolla, shëndetësi dhe transport – përfshirë trenat dhe fluturimet – si dhe në administratën publike, zyra dhe fabrika.

“Agresioni ndaj anijeve civile që transportonin qytetarë italianë është çështje jashtëzakonisht serioze,” deklaroi CGIL, ndërsa USB theksoi: “Nuk mund të qëndrojmë në heshtje përballë një sulmi që shkel vlerat demokratike dhe dinjitetin njerëzor. Është koha të reagojmë, tani.”

Sipas ligjit, shërbimet thelbësore do të garantohen.

Transporti publik i prekur

  • Hekurudhat: Greva do të ndikojë shërbimet hekurudhore nga ora 21:00 e së enjtes, 2 tetor, deri në të njëjtën orë të së premtes, 3 tetor. Trenitalia paralajmëroi për “anullime ose ndryshime” dhe publikoi listën e udhëtimeve të garantuara. Trenord në Lombardi tha se në rast anulimi të trenave të aeroportit, do të vihen në dispozicion autobusë direkt për Malpensa nga Milano Cadorna dhe Stabio. Shërbimet rajonale garantohen në ditët e javës nga 06:00–09:00 dhe 18:00–21:00.
  • Aviacioni: Greva përfshin edhe udhëtimet ajrore, me vonesa e anulime të mundshme gjatë 24 orëve të protestës (00:01–00:59 të premten). ENAC kujtoi se gjatë grevave në Itali garantohen fluturime nga 07:00–10:00 dhe 18:00–21:00.
  • Transporti lokal: Greva pritet të shkaktojë ndërprerje në rrjetet e transportit urban në Romë, Milano dhe qytete të tjera. Në Romë do të preken autobusët, metro dhe tramvajet, me shërbime të garantuara deri në 08:30 dhe më pas nga 17:00–20:00. Lidhjet hekurudhore me aeroportin e Fiumicinos mund të pësojnë vonesa ose anulime.

Shërbimet publike

Grevës mund t’i nënshtrohen kopshtet, shkollat, strukturat shëndetësore dhe shërbimet e karburantit në autostrada. Në sektorin shëndetësor, urgjencat dhe operacionet e domosdoshme do të garantohen, por vizitat jo urgjente dhe analizat e planifikuara mund të shtyhen.

Reagimi i qeverisë

Kryeministrja Giorgia Meloni të enjten e quajti edhe një herë flotiljen “të padobishme për popullin palestinez” dhe kritikoi vendimin e sindikatave për të thirrur grevë të përgjithshme.“Flotilja nuk ka sjellë asnjë përfitim për popullin palestinez, por do t’u sjellë shumë shqetësime italianëve,” tha Meloni, duke shtuar: “Nuk e prisja që sindikatat të shpallnin grevë të premten, të paktën jo për një çështje që e konsiderojnë kaq të rëndësishme si Gaza. Një fundjavë e gjatë dhe revolucioni nuk shkojnë bashkë.”

Ajo theksoi gjithashtu se qeveria do të bëjë ç’është e mundur për të ndihmuar qytetarët italianë të ndaluar nga Izraeli dhe kujtoi se Italia është “komb jo-mysliman që ka evakuuar më shumë njerëz nga Gaza për trajtim në spitalet tona, dhe një ndër vendet kryesore në botë për dërgimin e ndihmave.”

Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto shtoi:“A beson vërtet dikush se bllokimi i një stacioni, aeroporti apo autostrade, apo shkatërrimi i një dyqani në Itali, do t’i sjellë lehtësim popullit palestinez? Jo. Djegia e gjithçkaje, ndalimi i gjithçkaje dhe frikësimi i të gjithëve nuk i shërben askujt dhe do të dëmtojë vetëm popullin italian.”

Ndërkohë, ministri i Transportit Matteo Salvini po shqyrtonte mundësinë e një urdhër-ndalimi për të bllokuar grevën. Në një postim në X ai shkroi: “Nuk do t’i lejojmë CGIL-it dhe ekstremistëve të majtë të sjellin kaos në Itali. Nuk do të tolerojmë një grevë të përgjithshme të papritur.”

Duke iu referuar protestuesve, Salvini shtoi:“Zënia e një piste aeroporti, krijimi i problemeve për punëtorët dhe udhëtarët, nuk ka të bëjë fare me situatën në Gaza. Këta nuk janë paqësorë, por huliganë.”/Përshtati nga WantedinRome