Lëvizja BASHKË ka zyrtarizuar kandidaturën e kryetarit të saj, Arlind Qori, për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, duke e paraqitur si “alternativën e vërtetë për qytetin”.
Në një deklaratë për publikun, BASHKË e përshkruan Qorin si “zërin dhe njeriun që prej më shumë se një dekade ka folur çdo ditë për qytetin dhe njerëzit e tij – nga parqet dhe shkollat, te uji, ajri, strehimi, transporti publik dhe lufta ndaj korrupsionit”.
Sipas lëvizjes, këto zgjedhje nuk janë vetëm një mundësi për të ndryshuar Tiranën sipas nevojave të qytetarëve, por edhe “një betejë idesh që do të rezonojë në të gjithë Shqipërinë”.
Arlind Qori ka qenë pjesë edhe e zgjedhjeve të 14 majit 2023, ku garoi përballë Erion Veliajt të Partisë Socialiste dhe Belind Këlliçit të koalicionit opozitar. Në atë garë, Qori doli i treti, duke siguruar mbi 13 mijë vota, një rezultat që u konsiderua i rëndësishëm për një forcë të re politike.