Ballina Sport Nuk e ftoi Bellinghamin, Foden dhe Grealish, Tuchel jep arsyet

Nuk e ftoi Bellinghamin, Foden dhe Grealish, Tuchel jep arsyet

4
0

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka folur për mediat teksa skuadra e tij po përgatitet për t’u përballur me Uellsin në një miqësore dhe me Letoninë në një ndeshje kualifikuese për Botërorin javën e ardhshme.

Tuchel ka bërë tre ndryshime në skuadrën e Anglisë: sulmuesi i Arsenalit, Bukayo Saka, është rikthyer në vend të të lënduarit Noni Madueke, mbrojtësi i Bayer Leverkusen, Jarrel Quansah, ka zëvendësuar Tino Livramenton që gjithashtu është i dëmtuar, ndërkohë që Jude Bellingham, Phil Foden dhe Jack Grealish nuk janë përfshirë.

Tekniku gjerman fillimisht konfirmoi: “Bellingham gjithmonë e meriton të jetë pjesë e grumbullimit, por ai ende nuk e ka gjetur plotësisht ritmin te Real Madridi”. Ai shtoi gjithashtu se kishte pasur një telefonatë me mesfushorin, i cili kishte shprehur dëshirën për t’u grumbulluar, por theksoi se nuk ka asnjë problem personal mes tyre dhe as me lojtarët e tjerë që mungojnë.

I pyetur për mungesat e Foden dhe Grealish, Tuchel u shpreh: “Jo, nuk ka asnjë problem as me Phil Foden dhe as me Jack Grealish. Phil është kthyer të ndikojë dhe të vendosë ndeshje për Manchester City. Jack është shumë afër rikthimit në versionin më të mirë të vetes. Nuk ka asnjë problem personal”.

Megjithatë, mungesa e Bellingham vazhdoi të jetë në qendër të vëmendjes. Tuchel sqaroi se ekipi duhet të mësohet të funksionojë edhe pa të, pasi ekziston mundësia që mesfushori i Real Madridit të mungojë në Botërorin e ardhshëm.

“A besoj se jemi më të fortë me Jude? Po. A është një nga lojtarët më të mirë në botë në mesfushë? Po. Por çfarë ndodh nëse ai dëmtohet para Botërorit?

A nuk do të udhëtojmë? Futbolli është sport ekipor. Duhet të gjejmë zgjidhje kur lojtarët dëmtohen, siç ndodhi me Cole Palmer.

Edhe në grumbullimin e kaluar gjetëm alternativa. Kjo ka të bëjë më shumë me atë që kemi nisur të ndërtojmë si skuadër sesa me varësinë nga një lojtar i vetëm. Nuk mund të jetë kurrë zgjidhje të mbështetesh vetëm te një futbollist”, përfundoi trajneri i Anglisë.