Ballina Politika Qeveria synon të kufizojë kontrollin gjyqësor mbi vendimet e inspektorateve

Qeveria synon të kufizojë kontrollin gjyqësor mbi vendimet e inspektorateve

35
0

Në një konferencë për shtyp të premten, ku prezantoi legjislacionin ekzistues mbi ndërtimet dhe menaxhimin e territorit, duke përsëritur premtime të vjetra dhe të reja për çrrënjosje të “kancerit” e të ngjashme, kryeministri Edi Rama këmbënguli në shmangien e gjykatës si kontrolluese e vendimeve të institucioneve në varësi të ekzekutivit.

“Një tjetër masë e marrë është që ankimet administrative dhe gjyqësore nuk e pezullojnë ekzekutimin e vendimit përfundimtar të autoritetit përgjegjës të zhvillimit të territorit,” tha Rama. “Masë e rëndësishme, sepse ka pasur shumë spekulime dhe abuzime,” shtoi ai.

Kryeministri iu referua më pas gjatë e gjatë vendimeve gjyqësore që i cilësoi si abuzive, duke pretenduar se sulmi verbal ndaj gjyqtarëve ishte zgjedhja e vetme, edhe pse jo normale.

“Si merret masë sigurie për ndërtim pa leje? Mund të ma thuash? Çfarë mase sigurie mund të marrësh për ndërtim pa leje? Çfarë do gjykojë gjykata për ndërtim pa leje? Dhe arsyeja e vetme në këtë rast është që jo vetëm është interes publik, por është edhe personale në kuptimin e raportit me qytetarët dhe në kuptimin e dinjitetit të gjithë qeverisë,” theksoi ai.

Magjistratë, juristë dhe përfaqësues të opozitës e shohin deklaratën e kreut të ekzekutivit si alarmuese dhe një hap drejt autoritarizmit. Të tjerë i thanë BIRN se ajo ishte retorikë dhe propagandë dhe nuk mund të zbatohej.

Një gjyqtar, në kushte anonimiteti, i tha BIRN se nëse vihej në jetë ky propozim, ai i zhvlerësonte vendimet e gjykatës dhe i bënte ato abstrakte.

“E para, që rruga gjyqësore mbetet abstrakte, sepse e drejta e cënuar nga vendimet e (p.sh.) IKMT nuk riparohet asnjëherë,” tha ai.

Magjistrati i tha BIRN se kjo po ashtu mund të rëndonte në të ardhmen në buxhetin e shtetit.

“E dyta, në eventualitetin që vendimet bëhen të pavlefshme nga gjykata, në kushtet kur sendi është shkatërruar, individët përfitojnë dëmshpërblim që rëndon rëndë buxhetin e shtetit,” tha ai.

Jo të gjithë juristët bien dakord mbi ndikimin e vendimit të qeverisë për të mënjanuar masat e sigurisë për çështje që lidhen me kontrollin e territorit.

Avokati Ervin Metalla shprehet se nuk e shikonte të mundur zbatimin e një propozimi të tillë.

“Kam përshtypjen që nuk bëhet fjalë që nuk mund të merret masë për sigurim padie, se kjo nuk mund të ndodhë,” tha ai.

“Pezullimi me vendim gjyqësor i një akti administrativ, në kuadër të një mase sigurimi padie, nuk mund të ndalohet,” shtoi Metalla.

Ai tha se nëse ndërmerrej një vendim i tillë, kjo kishte implikime kushtetuese, por shtoi se i tingëllonte më shumë si pjesë e propagandës.

“Pra, ankimimi në vetvete nuk e pezullon ekzekutimin, por jo ndërhyrja e gjykatës me vendim pezullimi, si masë për sigurimin e padisë. Deri këtu, për mendimin tim, nuk ka asgjë të re, përtej propagandës sikur po bëhet revolucion,” tha ai.

Prej kohësh, kryeministri ka reaguar i bezdisur nga vendime gjyqësore që, sipas tij, ishin në shkelje të ligjit dhe që kanë ndaluar procese të ndërmarra nga institucionet në varësi të qeverisë.

Rama këmbënguli edhe në konferencën për shtyp se këto vendime ishin, sipas tij, në kundërshtim me ligjin dhe se sfidonin qeverinë apo e nxirrnin atë keq para qytetarëve. “Tani si të bëj unë? Të pushoj, mos të flas fare dhe ata le të vazhdojnë të rrinë me idenë që ma dhanë mua votën, 83 mandate, që të vazhdojnë të rrinë me atë zaptuesin atje që shkon kap një gjykatës dhe gjykatësi komplet pa lidhje i merr masë sigurie në orën 8 të mëngjesit,” tha kryeministri.

Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Edi Rama iu shmang pyetjeve nëse mund të besoheshin verbërisht inspektoratet dhe autoritetet për kontrollin e territorit, një institucion që edhe ai e fajësoi për situatën me ndërtimet pa leje. Rama hodhi poshtë mundësinë që veprimet arbitrare nga inspektoratet mund të kishin kosto për buxhetin ose qytetarët.

Ndryshe, përfaqësues të opozitës e shohin propozimin e kryeministrit si një hap tjetër drejt autoritarizmit, që, sipas tyre, rrezikon të drejtat e qytetarëve.

“Nëse një vendim administrativ zbatohet menjëherë pa pritur gjykatën, atëherë i hiqet qytetarit mundësia e vetme për mbrojtje efektive ndaj arbitraritetit të shtetit,” tha Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike.

“Kryeministri e shet këtë si masë kundër abuzimeve, por në fakt është një hap tjetër autoritar që kufizon të drejtat e qytetarëve,” shtoi ajo.

Tabaku tha se qeveria e Ramës sillej ndryshe me të dobëtit e ndryshe me të fortët dhe theksoi se këto ishin veprime populiste që cenonin të drejtat e garantuara në Kushtetutë dhe Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Sot, nën petkun e populizmit, në emër të komunitetit, po shkurtohen të drejtat individuale,” tha Tabaku.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, tha se propozimi është një kambanë alarmi që lë pa mbrojtje familje të tëra në pritje të legalizimit, ndërsa ngre dyshime se masa mund të përdoret për krijimin e shesheve të reja të ndërtimit.

“Edi Rama kërkon të heqë çdo pengesë ligjore apo administrative për prishjen e shtëpive të kësaj kategorie me qëllim që të hapë sheshe të reja ndërtimi për projektet që hartojnë oligarkët e ndërtimit pranë tij,” theksoi ai./Reporter.al